Bashkimi Evropian ka njoftuar se të martën është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.
Marrëveshja është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa pajtueshmëria për aneksin e zbatimit, më 18 mars në Ohër.
Lajmin për themelim të Komisionit e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai, po ashtu, ka konfirmuar se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohet më 2 maj në Bruksel.
“Detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj. Ky është rezultat konkret dhe implementim konkret i asaj që ishte arritur para 30 ditësh, në takimin e nivelit të lartë, mes presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti“, ka thënë Stano, raporton REL.
Sipas BE-së, anëtar i këtij Komisioni të përbashkët do të jetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili do ta kryesojë atë trup, në emër të BE-së.
Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, shefi i delegacionit të saj për dialog, Petar Petkoviq.
Zëdhënësi i BE-së ka njoftuar se ky Komision i përbashkët do të takohet rregullisht në Bruksel, ndërsa hollësitë do të saktësohen dhe miratohen në takimin e parë të tij.
Takimi i parë do të zhvillohet, pas takimit të radhës në nivel të lartë, mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë të martën gazetarëve se Marrëveshja nuk paraqet tërësi të elementeve, por paraqet një pako në të cilën nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë.
“Ne jemi zotuar, dhe e kemi ripërsëritur qëndrimin tonë, për zbatim të plotë të kësaj pakoje, të kësaj Marrëveshjeje bazë, dhe aneksit përkatës për implementim, dhe tash besoj që fjalën e ka Brukseli që ta detyrojë Serbinë për këtë“, ka thënë Kurti.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.