Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje kundërkandidatit të tij nga Vetëvendosja, Arben Vitisë, që të garojë me të me plane konkrete, duke shtuar se nuk synohet posti publik me hajgare.
Deklarata e tij vjen pas publikimit të një videoje nga Vitia, i cili me ironi thotë se “do të rrënojmë Pallatin e Rinisë dhe stadiumin”.
“Ftoj Vitinë të bëjë garë me plane konkrete dhe projekte serioze, e jo me kopje të plogështa dhe me hajgare. Menaxhimi i qytetit është shumë çështje shumë serioze dhe duhet të merret si e tillë”, ka potencuar Rama.
“Fatkeqësisht jeni duke parë nga kundërkandidati copëza të kopjuara prej projektit tonë e të kthyera në video të shtrenjta për të mashtruar qytetarët. Flet për një fushë të gjelbëruar pa përkrahje infrastrukturore, duke zhdukur edhe një prej parkingjeve kyçe të qytetit. Një ndeshje futbolli për shembull do të krijonte kaos në këtë zonë. Kjo dëshmon edhe njëherë që pushteti aktual i cili deri më tani as nuk veproi e as nuk përëmendi parkun qendror, u kujtua për këtë vetëm pasi u prezantua nga ne. Kjo tregon se kundërkandidati im jo veç që nuk ka një plan konkret për kryeqytetin nuk do të ishte i aftë për ta realizuar. Kjo pjesë e qytetit kërkon një plan serioz që ne e kemi prezantuar muaj më parë”, ka thënë Rama.
/Gazeta Enigma/