Sot u raportua për një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën në Fushë Kosovë, ku një i ri ka humbur jetën pasi dyshohet se u ngulfat gjatë ngrënies së ushqimit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Andi Spahiu, 32 vjeçar.
Sipas informacioneve, 32-vjeçari fillimisht ishte dërguar me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi dyshohet se gjatë ngrënies së shalqirit një copë i kishte ngecur në fyt, duke i shkaktuar vështirësi të rënda në frymëmarrje.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij rreth orës 14:15.
Pas njoftimit nga QKUK-ja, në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda.
Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekje”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohet autopsisë për të sqaruar rrethanat e plota të vdekjes.
