Osmon Maliqi, doktor i përgjithshëm në Gjilan, derisa ishte kujdestar në shërbimin e urgjencës, në Qendrën e Mjekësisë Familjare, mori telefonatë se një pacient që nuk po ndihej mirë me shëndet.
Arrin në shtëpi për trajtimin e rastit, por ai nuk kishte pasur njohuri se bëhet fjalë për një nënë shtatzënë, e cila ishte në prag të lindjes.
“I thashë duhet me të dërgu në Repartin e Gjinekologjisë, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, pse je nuk je atje, shtatzëna më tha se gjinekologu kishte konstatuar se nuk është akoma për lindje”, rrëfen rastin unik dr. Osmoni.
“Nuk ka vakt me shku se unë gati jam me lind”, më tha shtatzëna.
“I mora dorëzat sterile dhe i asistova për lindje, sipas protokollit që e kisha mësuar dhe praktikuar gjatë studimeve. Lindi vajzë, e shnosh si molla dhe dhe e dërguam në Repartin e Gjinekologjisë”, thotë Dr. Osmoni.
Si doktor i ri, ai thotë se kjo ishte sfida më e madhe për të në fillim të karrierës profesionale.
“Sfidë që nuk kam me harru kurrë, por jam krenar që i ndihmova dhe beba e nëna janë shumë mirë”, thotë Dr. Osmoni, për Mediafokus.info.
Dr. Osmon Maliqi nga Gjilani, bashkë me disa nga kolegët e tij, po konsiderohen heronjtë e gjallë të ditëve të sotme në Gjilan, pasi gjatë ditës i bëjnë qindra vizita mjekësore tek pacientët e prekur nga COVID-19.