Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur së fundmi në fshatin Lubozhdë në Istog, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë në familje, derisa ishte në gjendje të dehur.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka raportuar për dhunën që ka përjetuar nga burri i saj, i cili e ka sulmuar brutalisht atë, si dhe dy motrat e tij, të cilat janë me aftësi të kufizuara.
Rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur i dyshuari ushtroi dhunë ndaj tyre dhe për pasojë, viktimat kanë pësuar lëndime trupore, për çka kanë marrë trajtim mjekësor në spital.
Bazuar në dëshminë e gruas së të dyshuarit, kjo nuk është hera e parë që ato po përjetojnë dhunë, pasi raste të tilla kanë qenë të vazhdueshme.
Denoncimi i viktimës ka aktivizuar Policinë, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.