Hylije Mustafa nga Prishtina nuk mund të shkojë në Gjermani për një trajnim profesional, sepse Ambasada gjermane në Kosovë, gjatë pandemisë së COVID-19, “ka reduktuar ndjeshëm kapacitetet e pranimit të kërkesave për viza”.
Mustafa, e cila është mjeke me profesion, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët e Kosovës edhe më herët janë përballur me vështirësi në udhëtime, për shkak të regjimit të vizave.
Por, shton se gjatë vitit të fundit, udhëtimi në ndonjë vend të BE-së është pothuajse i pamundur. “Gjatë pandemisë, udhëtimi është bërë edhe më i vështirë”, thotë Mustafa.
Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk i është miratuar liberalizimi i vizave. Zyra greke për Ndërlidhje me Kosovën, e cila lëshon të ashtuquajturat “viza Shengen”, konfirmon po ashtu se procesi i marrjes së vizave për qytetarët e Kosovës gjatë pandemisë është vështirësuar.
Këto viza janë të vlefshme për udhëtime në çdo vend të zonës Shengen, përveç Greqisë. Zona Shengen përfshin Gjermaninë, Francën, Austrinë, Belgjikën, Italinë, dhe vendet e tjera anëtare të BE-së.
“Departamenti konsullor i Zyrës Ndërlidhëse greke në Prishtinë kurrë nuk ka ndaluar lëshimin e vizave gjatë pandemisë, por për shkak të kufizimeve në kalimin e kufijve në të gjitha vendet, përfshirë Greqinë, vizat mund t’u lëshohen vetëm personave të angazhuar në punë të veçantë ose në raste urgjente serioze”, tha për Radion Evropa e Lirë Zyra greke në Kosovë.
Gjatë pandemisë, në agjencitë turistike në Kosovë mund të gjenden kryesisht oferta për udhëtime në vendet e rajonit, si Shqipëria apo Mali i Zi, por edhe në Turqi, sepse për hyrjen në këtë vend, nuk duhet vizë.
Më 3 maj, Komisioni Evropian propozoi lehtësimin e kufizimeve të udhëtimeve për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, e në të cilat bën pjesë edhe Kosova.
Por, lehtësimi i masave do të vlejë për ata që kanë marrë një vaksinë kundër koronavirusit, të miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Kjo nënkupton që ata që kanë marrë vaksinën Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson&Johnson ose AstraZeneca, mund të udhëtojnë në vendet evropiane.
Dyshimet rreth pasaportës së vaksinës
Hylije Mustafa, si punonjëse shëndetësore, ka marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca dhe shpreson se pas marrjes së dozës së dytë, do të ketë më shumë shanse për të siguruar vizën për udhëtim.
“Nëse kam provë se e kam marrë vaksinën, mund të jetë më lehtë të marr një vizë në të ardhmen”, thotë ajo.
Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thonë se “çdo qytetar që merr vaksinën kundër koronavirusit, merr edhe një kartë që dëshmon se ka marrë një ose dy doza të vaksinës, datën e pranimit, llojin e vaksinës dhe të dhëna të tjera personale”.
Më 4 maj, në Kosovë kanë arritur mbi 4,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, si donacion nga Bashkimi Evropian.
“Pjesa tjetër, rreth 90,000 doza që i ka ndarë BE-ja për Kosovën, do të arrijnë brenda një jave”, thanë në Ministrinë e Shëndetësisë, duke vënë po ashtu në dukje se një kontingjent tjetër i vaksinave AstraZeneca duhet të arrijë në Kosovë javën e ardhshme.
Kontingjenti i parë me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca ka arritur në Kosovë më 28 mars, nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Dozën e parë të kësaj vaksine, në kuadër të fazës së parë të imunizimit, e kanë marrë punonjësit shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike. Ata duhet ta marrin dozën e dytë kur të mbërrijnë vaksinat shtesë të kompanisë AstraZeneca.
Në fazën e dytë pritet të vaksinohet njerëzit e moshës 65 deri 79 vjeç, personat e sëmurë kronikë, personeli mësimor dhe forcat e sigurisë, të cilat janë të përfshira në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në fazën e tretë do të fillojë vaksinimi masiv i qytetarëve, por Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk mund të specifikojë se kur mund të fillojë.