Edhe në rigjykimin e dytë, dënohet me 16 vjet burgimi i akuzuari për vrasje për shkak të një borxhi në Ferizaj

Edhe në rigjykimin e dytë, dënohet me 16 vjet burgimi i akuzuari për vrasje për shkak të një borxhi në Ferizaj

Albert Ramadani është shpallur fajtor edhe në rigjykimin e dytë nga Gjykata Themelore e Ferizajt, e cila e ka dënuar me 16 vjet burgim nën akuzën e vrasjes së të ndjerit B.H., për shkak të një borxhi.

Sipas aktgjykimit të shpallur të martën, nga kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri, i akuzuari Albert Ramadani u dënua me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë, kurse me një vit e gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të njëjtit u shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej 16 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Zeqiri bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndryshe, Gjykata e Apelit më 12 tetor 2022, e kishte kthyer në rigjykim rastin ku Albert Ramadani, ishte dënuar nga shkalla e parë, me 16 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, kjo gjykatë ka refuzuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, avokat Ramiz Krasniqi, mbrojtësit e të akuzuarve: Artan Ramadani avokati Admir Salihu, Fadil Ramadani avokatja Arbnora Shefkiu, Argjend Ramadani avokati Samir Rekaj, Driton Krasniqi avokati Fitim Shabani, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, është vërtetuar nga kjo gjykatë.

Ndryshe, sipas pikës II. të këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, avokati Ramiz Krasniqi dhe mbrojtësit së të akuzuarit Albert Ramadani avokati Ymer Huruglica, e sipas detyrës zyrtare, përkitazi me të akuzuarin Albert Ramadani për shkak të veprës penale të vrasjes, nga neni 178 të KPK, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që çështja është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje.

Ndërsa, sipas aktgjykimit të shpallur më 13 qershor 2022 nga kryetari i trupit gjykues, Mustaf Tahiri, i akuzuari Albert Ramadani u dënua me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë, kurse me një vit e gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të njëjtit ishte shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej 16 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit i akuzuari Fadil dhe Artan Ramadani u dënuan me nga dy vite burgim veç e veç, ndërsa Argjend Ramadani një vit e tetë muaj burgim, për veprën penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 190  par.2 të KPRK-së.

Sipas aktgjykimit i akuzuari Driton Krasniqi për pikën I të aktakuzës u dënua tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 2.500 euro, ndërsa për pikën II të aktakuzës një vit e gjashtë muaj burgim.

Ndaj të njëjtit u shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej katër vite e gjashtë muaj burgim, dhe 2.500 euro gjobë.

Po ashtu sipas aktgjykimit, kontrata e shitë-blerjes së veturës është anuluar, ndërsa i akuzuari Artan Ramadani është obliguar t’i paguaj shumën Driton Krasniqit prej 4,000 euro, ndërsa vetura “BMW X5” i kthehet Artan Ramadanit.

Gjykatësi Tahiri kishte bërë të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 11 mars 2021 nga kryetari i trupit gjykues, Mustafë Tahiri, i akuzuari Albert Ramadani ishte dënuar me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë, kurse me 1 vit e gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 16 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Fadil dhe Artan Ramadani ishin dënuar me dy vite burgim, ndërsa Argjend Ramadani me 1 vit e tetë muaj burgim, për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 190, par.2 të KPRK-së.

Kurse, i akuzuari Driton Krasniqi për pikën I të aktakuzës u dënua tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro, ndërsa për pikën II të aktakuzës me një vit e gjashtë muaj burgim. Ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej katër vite e gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Sipas këtij aktgjykimi, kontrata e shitblerjes së veturës ishte anuluar, ndërsa i akuzuari Artan Ramadani ishte obliguar t’i paguajë shumën prej 4 mijë euro Driton Krasniqit, ndërsa vetura BMW X5 do i kthehej Artan Ramadanit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2018 nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Albert Ramadani akuzohej se më 28 shkurt 2018, në rrugën magjistrale Ferizaj –Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B. H., pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumën prej 60 mijë euro, lidhur me një veturë të markës “BMW X5”.

Në aktakuzë thuhet se atë veturë Artan Ramadani ia kishte shitur Driton Krasniqit, me ndërmjetësimin e tani të ndjerit H., e të cilin borxh Dritoni sipas marrëveshjes është dashur ta paguajë deri më 28 shkurt 2018, mirëpo i akuzuari Artan Ramadani së bashku me axhën e tij dhe dajën Gafurr kishin shkuar në Prishtinë për t’ia kërkuar borxhin, ndërsa Dritoni iu kishte thënë se do të vinte në Ferizaj dhe se e paguan borxhin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dritoni dhe tani i ndjeri H. kishin ardhur rreth orës 18:00, me ç’rast Dritoni u kishte thënë “ju ma keni shqetësuar familjen që keni ardhur tek shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti”, kështu që të pandehurit ishin revoltuar dhe kishte filluar fyerja reciproke mes tyre.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Fadil e kishte nxjerrë jashtë tani të ndjerin B. për ta qetësuar situatën, mirëpo B. e kishte goditur me kokë atë në pjesën e hundës dhe e kishte rrëzuar për tokë.

Pas kësaj, sipas prokurorisë kishin dalë edhe të pandehurit Albert, Artan dhe Argjend Ramadani dhe kishte filluar rrahja para lokalit, ndërsa i ndjeri H. kishte filluar të ikë në anën e kundërt të magjistrales, kurse të pandehurit kishin vrapuar pas tij.

Me këtë rast, thuhet se i akuzuari Albert kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, kurse i ndjeri ishte rrëzuar dhe në gjendje të shtrirë, të akuzuarit e kishin goditur me shqelma në të gjithë pjesët e trupit, ku si pasojë e gjakderdhjes kishte ndërruar jetë në vend të ngjarjes.

Me këtë, Albert Ramadani akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179, par.1 nënpar.1.4 të KPRKS-së si dhe për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Kurse, Driton Krasniqi, Artan, Fadil dhe Argjend Ramadani, akuzoheshin se më 28 shkurt 2018 orës 18:25 minuta në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, kanë marrë pjesë në rrahjen në të cilën ishte privuar nga jeta i ndjeri B.H.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 190, par.2 të KPRK-së.

Driton Krasniqi, akuzohej edhe për veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, par.5 të KPRK-së, sepse sipas aktakuzës, më 13 janar 2018, në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kishte mashtruar pronarin e autosallonit “Aldioni”, Artan Ramadanin, në atë mënyrë që sipas aktakuzës, kishte lidhur kontratë për blerjen e automjetit “BMW X5 30 xDrive”, për çmimin 64 mijë euro, me ç’rast kishte paguar 4 mijë euro, kurse shumën tjetër ishte dashur ta paguajë më 28 shkurt 2018, mirëpo i pandehuri Krasniqi veturën e kishte shitur, kurse paratë nuk ia kishte paguar në afatin e caktuar. /BetimipërDrejtësi

Related Articles