Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të Ligës së Kombeve, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) të premten.
Në listën e tij, Reja ka përfshirë 24 futbollistë ndërsa stërvitjet do të nisin në fillim të javës së ardhshme. Ajo që bie në sy në listën e publikuar, është rikthimi i mbrojtësit Arlind Ajeti që luan në Serie C të Italisë, pas më shumë se një viti.
Po ashtu, në ekip është kthyer edhe Albi Doka, ndërsa është ftuar sërish Adrian Bajrami. Për ndeshjet me Izraelin dhe Islandën, do të mungojnë Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Rey Manaj e Odise Roshi për shkak të lëndimeve.
Më 24 shtator, Shqipëria luan në udhëtim ndaj Izraelit kurse tri ditë më vonë, e pret Islandën në Tiranë.
Të dy këto ndeshje janë të rëndësishme për Grupin 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Aktualisht, Shqipëria është e treta në grup me një pikë pas dy ndeshjeve të zhvilluara. Lider është Izraeli me pesë pikë, i ndjekur nga Islanda me tri sosh.