FC Prishtina do t’i luajë ndeshjet preliminare të Ligës së Kampionëve në Shqipëri, më saktësisht në “Elbasan Arena”.
Klubi kampion i Kosovës do të përballet me ekipin e San Marinos, SS Folgore në ndeshjen gjysmëfinale me 25 qershor.
Presidenti i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi ka theksuar se është përparësi për FC Prishtinën, pasi udhëtimi në Ishujt Faroe do të ishte mjaft i sikletshëm.
“Po është e vërtetë, ndeshjet do të luhen në Elbasan Arena. Është një përparësi për neve, duke marrë parasysh se çfarë klime është në Ishujt Faroe, poashtu procedura e vizave, hotelit dhe kostos, udhëtimi me aeroplan privat shkaku i Covidit dhe ndalesat për udhëtim. Sot moti në Ishujt Faroe ishte 10 gradë dhe në atë vend katër herë mund të bëhet ndërrimi i motit brenda ditës, gjithashtu edhe problemi i ambientimit të gjumit do të ishte pengesë. Është një kursim i madh për ne”, tha fillimisht Remzi Ejupi për ‘GazetaBlic Sport’.
Më pas, Ejupi theksoi se pjesa e lojtarëve kyç që e shpallën Prishtinën kampion nuk do të largohen, ndërsa po punohet që të bëhen edhe disa prurje të reja në skuadër.
“Tani mbetet ta kryejnë punën akterët. Organizimi po bëhet që këto ndeshje të jenë sa më të mira nga ana jonë. Lojtarët kyç nuk do të largohen, do të ketë edhe prurje të reja”, përfundoi Remzi Ejupi.