Gara e ashpër për Gjilanin, pritshmëritë dhe kandidatët e mundshëm

Gara e ashpër për Gjilanin, pritshmëritë dhe kandidatët e mundshëm

Ka kohë që kanë filluar të lakohen emra të ndryshëm për kandidatë të mundshëm për kryetarë të komunës së Gjilanit, komunë kjo ku gara besohet se do të jetë fare e paparashikueshme, sidomos nga këndvështrimi aktual, disa muaj para zgjedhjeve, të cilat besohet se do të mbahen këtë vjeshtë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Përfaqësues nga partitë kundërshtare që përbëjnë nomenklaturën aktuale politike gjilanase, shprehen të sigurt në fitore të tyre, anipse janë skeptikë në deklarata publike. Ndërsa vlerësimet që vijnë nga njohës jashtë strukturave partiake, thonë se gara në Komunën e cila aktualisht udhëhiqet nga Lutfi Haziri i LDK-së, do të jetë tejet sfiduese, madje si asnjëherë më parë në zgjedhje lokale.

Partia që udhëheqë me komunën e Gjilanit, LDK-ja, thuajse hapur ka dalë me emrin e kandidatit, ndonëse bazuar në praktikat e mëhershme, kandidati i partisë mund të ndërroj pak para fillimit të garës. Bëhet fjalë për nënkryetari aktual të komunës, Arbër Ismajli, emri i të cilit ka filluar të përmendet kudo, si kandidat i këtij subjekti. Edhe vet kryetari aktual i komunës, Haziri, e ka apostrofouar më se një herë Ismajlin si kandidat të mundshëm, duke i atribuuar merita të posaçme në qeverisje lokale.

Edhe burime të Gazetës “Enigma”, e kanë konfirmuar se kandidatura e Ismajlit, do të zyrtarizohet në Konventën e LDK-së, e cila pritet të mbahet me 23, apo 24 qershor.

Porse, kandidimi i mundshëm i tij, nuk e ka bindur sadopak bashkpartiaken e Ismajlit, Valentina Bunjaku – Rexhepin.

Sipas saj, LDK ka vetëm një personalitet i cili është potencial për t’i hyrë garës për Gjilanin dhe për ta fituar atë, duke pasur parasysh rrjedhën e kontinuitetit të ngjarjeve të kohëve të fundit, përfshirë zgjedhjet nacionale.

“Unë kam dhënë mendimin tim dhe qëndrimi im është që Lutfi Haziri është kandidat potencial i LDK-së në Gjilan për ta fituar mandatin e radhës. Emri i tij është faktor unifikues i LDK-së, padyshim. Kandidaturat tjera të mundshme janë eksperimentale, mendoj, dhe LDK nuk e ka atë komoditet në garë për zgjedhje lokale. Çdo respekt për emrat tjerë, por emri i Lutfi Hazirit është emri i rikonfirmimit për fitoren e radhës!”, ka thënë ajo për Gazetën “Enigma”.

E në lidhje me kandidaturën e mundshme të z. Arbër Ismajli, ditëve të fundit janë deklaruar edhe aktivistë tjerë të LDK-së, të cilët kanë preferuar të mbeten anonim, ndërsa janë shprehur fare të sigurt që pikërisht Arbër Ismajli do të jetë kandidati i nominuar për kryetar nga LDK në Gjilan.

Për dallim nga ish kryetarja e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku – Rexhepi, e cila është shprehur skeptike për kandidaturën e Arbër Ismajlit, pasardhësja e saj në Kuvendin Komunal, kryesuesja aktuale e këtij institucioni, Shpresa Kurteshi – Emini, si njëra nga zyrtare e larta të partisë, duke iu referuar deklaratës së z. Haziri lidhur me një prononcim të tij medial për këtë çështje, ka thënë se do të vlerësonte nominimin e z. Ismajli, të cilin e ka cilësuar person të  duhur për kandidat për kryetar të Gjilanit, nga radhët e LDK-së.

LDK-ja në Gjilan, me cilin do kandidat për Kryetar Komune që do të del, do t’i fitojë zgjedhjet! Lutfi Haziri, padyshim…Posted by Shpresa Kurteshi Emini on Saturday, June 5, 2021

Garë “misterioze” brenda LVV-së për kandidatin e Gjilanit

E në taborrin e VV-së në Gjilan atmosfera është paksa më ndryshe. Ky subjekt ka ‘shkëlqyer’ në zgjedhjet e fundit nacionale, duke fituar madje më shumë se gjysmën e votës së përgjithshme qytetare në këtë komunë.

Pas goditjes së fundit që e ka pësuar, ku njëri nga figurat kryesore të këtij subjekti në Gjilan, ish-kryetari i qendrës Nevzad Isufi dha dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake, madje edhe nga pozita e këshilltarit komunal, ky subjekt akoma nuk ka dalë me një emër të caktuar që do të garonte për kryetar të Komunës së Gjilanit.

Burime të sigurta brenda Qendrës së LVV-së në Gjilan, kanë treguar saktësisht se do të ketë më shumë se një emër të vetëm që do t’i hyjnë garës për të marrë besimin e kandidaturës për kryetar të komunës së Gjilanit.

Ndër ta janë lakuar emrat e nënkryetarit aktual Nehat Osmani, si dhe deputetit Alban Hyseni. I pari është asambleist komunal, njëherit nënkryetar i Qendrës së VV-së në Gjilan, e i cili në bazë të statutit kryen funksionin e kryetarit. Porse, jozyrtarisht, në kushte anonimiteti, bëhet e ditur se do të ketë edhe ‘kalkulime’ me emra dhe figura tjera ndërkohë, madje edhe nga jashtë VV-së, të cilat mësohet se janë duke u “shoshitur” për t’i gjetur kundërkandidatin partisë në pushtet, LDK-së, qoftë ai Arbër Ismajli, apo edhe vet z. Lutfi Haziri.

Strategjitë parazgjedhore të subjekteve me emrat e kandidatëve

Sipas opinionistit, Burim Haliti, nga Instituti për Studime Ligjore Demokratike – ISLD, taktizime do të ketë nga të dyja palët pretendente, partia në pushtet – LDK dhe partia që në zgjedhjet e fundit nacionale doli fituese me diferencë të theksuar votash – LVV.

“Do të ketë taktizime të ndërsjella ‘në mes të popullaritetit dhe përvojës’, ka thënë ai. Popullariteti sipas tij është në anën e partisë që në zgjedhjet e fundit doli fituese, ndërsa përvojën ai ia ka atribuar partisë në pushtet, e cila udhëheqë pothuajse në kontinuitet me Gjilanin, LDK-së.

“Krejt kjo situatë është një përpjekje e partive, të cilat mundohen të gjuajnë topin se cili do të jetë kandidati i tyre i preferuar. Përmes këtyre veprimeve ata po mendojnë të ndikojnë te partitë rivale se me çfarë kandidati të dalin. Kjo është një lojë tipike politike, përmes së cilës synojnë të ndikojnë te partitë rivale, mirëpo, a duhet të barrikadohen në këtë formë për të ndikuar te tjetri se me çfarë kandidatë do të dalin, është negative, joreale dhe nuk i përgjigjet politikës bashkëkohore”, ka thënë ai.

Porse sipas tij, esenciale është që partitë pretendente të kenë kandidatët e tyre që do të sfidojnë qytetarin, e jo rivalin politik.

“Edhe ato parti që janë në pushtet edhe ato që mëtojnë të jenë pjesë e pushtetit, kanë para vetes sfidë të veçantë, dhe nga radhët e tyre e kanë të vështirë të ngjallin besimin e qytetarit për ta udhëheqë komunën përsëri, por mendoj që duhet të zgjerohen, të mos jenë konzervative si me herët, por të jenë më të hapura, të marrin kandidatë që janë pjesë të profileve apo ekspertë të caktuar, qofshin ata të njohur tek ne apo edhe në botë. Pa një hapje të partive politike mendoj që nuk do të kemi një garë me vlera bashkëkohore, siç kanë shoqëritë e avancuara”, tha ai për Gazetën “Enigma’.

PDK, ende pa emër konkret, shihet si proces i vonuar nga zyrtarë të saj

Ndërsa Partia Demokratike – Dega në Gjilan nuk ka një kandidat që potencohet se do të jetë i nominuar për kryetar komune. Mirëpo, për dallim nga zgjedhjet e kaluara lokale kur ky subjekt hyri në garë mjaft i përçarë, këtë herë duket të jetë më i relaksuar nga problemet e së kaluarës, të cilat thuhet se tashmë janë tejkaluar, porse kanë lënë gjurmë në strukturën e përgjithshme.

Burime të Gazetës “Enigma”, brenda PDK-së tregojnë se kandidati i cili do të jetë i nominuar, qoftë nga dega apo niveli qendror, këtë herë do të mbështetet nga të gjithë maksimalisht.

Po këto burime bëjnë të ditur se së shpejti do të prezantohet emri i kandidatit, porse fakti që akoma nuk ka një emër të bërë publik, shihet si proces i vonuar i partisë, pasi sipas tyre, kjo çështje kaherë është dashur të dihet, dhe emri i kandidatit është dashur të jetë i konfirmuar, madje tashmë duke zhvilluar aktivitete në terren.

Garë e balancuar në AAK – NISMA – AKR – Të tjerat

Me interes për skenën e përgjithshme politike në Gjilan është fakti që subjektet politike nuk po mjaftohen me kandidatët që kanë brenda strukturave të tyre partiake. Së fundi ato kanë shqyrtuar ide të ndryshme për të dalë sa më të përgatitur në zgjedhje lokale.

Ato kanë filluar të targetojnë personalitetet të ndryshme në Gjilan, për t’i vënë në ballë të sprovave konkurruese. Njëri nga ta është profesori universitar Flamur Hyseni, i cili është kontaktuar nga disa subjekte politike për të garuar me ‘flamurin e tyre partiak’ për kryetar komune.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vet ai, duke potencuar se kanë qenë madje disa parti që e kanë kontaktuar, duke provuar ta joshin, ndërkohë që nuk e ka mohuar e as pohuar nëse do të pranoj ndonjë ofertë të këtij lloji, marrë parasysh faktin se është një nga personalitetet e shquara publike dhe një njohës i mirë i kushtetutës.

Nga dega e AAK-së, subjekt ky i cili është pjesë e qeverisjes aktuale lokale, e që është përballë me ndërrime të shumta kohëve të fundit – përfshirë largimet e kreut të saj Rexhep Kadriu, e më pas edhe pasuesit të tij, Agim Zuzaku, kanë lakuar emrin e drejtorit aktual të arsimit Nazim Gagica si kandidat i mundshëm për kryetar të komunës, madje nga hierarkia e lartë e partisë, ndonëse jo me siguri të plotë.

Këto nisma shihen si pozitive, madje domosdo e kohës dhe imperativ i patjetërsueshëm, sipas opinionistit, Burim Halitit nga Instituti për Studime Ligjore dhe Demokratike – ISLD.

Pavarësisht të gjithave, gara kryesore besohet se do të zhvillohet mes LDK-së dhe VV-së, ndërsa rol të posaçëm besohet se do të marrin edhe subjektet tjera, veçmas PDK, si parti e strukturuar mirë nëpër nëndegë e lokalitete, si dhe partitë tjera që veprojnë në Gjilan, të cilat, ndonëse në shikim të parë duken inferiore karshi zgjedhjeve që na presin në fund të muajit tetor, pritet të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e strukturës së ardhshme katërvjeçare në Gjilan./Gazeta Enigma/Përgatiti: Xhemail Veseli/

Related Articles