Ekipi olimpik i xhudos është nisur sot drejt Tokios së Japonisë, ku prej 23 korrik – 8 gusht 2021 do të mbahen Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Xhudistët të prirë nga trajneri Driton Kuka, do të vendosen fillimisht në Komunën e Sanjos, ku do të zhvillojnë përgatitje, para se të transferohen më 21 korrik në fshatin olimpik në Tokio. Ekipin e ka përcjellur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, edhe shefi i misionit të ekipit olimpik të Kosovës, Jeton Rudari.
Krahas pesë xhudistëve: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka, me ekipin udhëtoi edhe Flaka Loxha, në cilësinë e sparing partneres. Para nisjes, trajneri Kuka ka folur për fazën përgatitore që do ta zhvillojnë në Sanjo.
“Qyteti Sanjo është nikoqir i ekipit tonë, qytet ky që na ka pritur edhe para botërorit 2019.
Atje do t’i përshtatemi klimatizimit të kohës dhe do të kemi përgatitje, në të cilat nuk lejohen sparingjet me sportistë tjerë, për shkak të pandemisë Covid 19. Unë besoj se ekipi është mjaftueshëm në numër për të ndihmuar njëri-tjetrin, si dhe për të mbajtur performancën dhe nivelin e përgatitjeve që tashmë e kemi arritur”, tha Kuka për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Të pesë xhudistët janë kualifikuar me normë olimpike. Ekipi olimpik përbëhet prej 11 sportistëve. Pjesa tjetër e ekipit olimpik udhëton prej 19 korrikut. KOK iu uron rrugë të mbarë dhe mbarësi gjatë përgatitjeve dhe garave.