Ekrem Kastrati, i Nismës Socialdemokrate synon edhe një mandat në krye të Malishevës, raporton Gazeta Enigma.
Ai thotë se “kemi shumë punë përpara”.
“Sot po ju flas nga zemra, me mirënjohje të madhe dhe me ndjenjën e përgjegjësisë që e kam ndjerë çdo ditë që prej se ma keni besuar udhëheqjen e komunës sonë. Nuk është befasi, as për ju e as për mua, sepse kemi punuar bashkë, sepse kemi ndërtuar një drejtim të qartë, sepse kemi shumë punë përpara: Pra, do të rikandidoj për kryetar të komunës së Malishevës në zgjedhjet e 12 tetorit”, theksoi ai.
Në mesazhin e drejtuar qytetarëve të Komunës së Malishevës, Kastrati tha se “ky vendim është vazhdimësi e një angazhimi që ka lindur nga terreni nga takimet me ju nga dëgjimi i halleve dhe sfidave tuaja”.
“Unë e di mirë se çfarë i shqetëson qytetarët e Malishevës. E di se ku mungon ende infrastruktura, se ku ka nevojë për më shumë investim, për më shumë ndihmë, për më shumë vëmendje. Por më e rëndësishmja, jo vetëm që i njoh këto sfida, por kam edhe zgjidhje për to. Jo premtime në letër, por projekte konkrete që veçse i kemi nisur dhe të tjera që janë gati për t’u realizuar”, theksoi ai.
“Në ditët në vijim, do të paraqes para jush programin dhe planin tim për katër vitet e ardhshme. Është një program që bazohet në punë konkrete dhe në nevojat që ju vetë i keni shprehur. Një vizion i qartë për një Malishevë që ecën përpara dhe nuk ndalet”.