Ekspertët paralajmërojnë: Nëse nuk do ketë vaksinim masivë, Kosova rrezikon të preket nga vala e katërt e COVID-19

Ekspertët paralajmërojnë: Nëse nuk do ketë vaksinim masivë, Kosova rrezikon të preket nga vala e katërt e COVID-19

Infektologë dhe ekspertë të shëndetësisë paralajmërojnë se Kosova mund të përfshihet nga një valë e katërt e infektimit me Covid-19.

Nëse nuk do të ketë vaksinim masiv të popullatës, është e mundur që Kosova të përfshihet nga një valë të katërt të pandemisë në Kosovë.

Kështu thotë për arbresh.info infektologu në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Tolaj.

Tolaj, pohon se autoritetet e vendit duhet t’i sigurohen doza të mjaftueshme të vaksinave, në mënyrë që të parandalohet shfaqja eventuale e një vale të re infeksionesh me Covid-19.

Megjithatë, sipas tij, edhe nëse vendi përfshihet nga një valë e re infektimesh me Covid, nuk do ketë intensitet të lart si në valën e dytë dhe të tretën.

“Nëse nuk do të ketë vaksinim masiv të popullatës, është e mundur që të ketë edhe valë të katërt të pandemisë në Kosovë. Mirëpo, duke marruar parasysh numrin e rasteve të deritashme të të infektuarve në Kosovë, atyre që dihen dhe që nuk dihen, është më se e pritshme që vala e katërt, nëse ndodhë, mund të jetë e intensitetit më të vogël sesa vala e tretë dhe ajo e dytë. Do të ishte mirë që autoritetet e vendit të sigurojnë doza të mjaftueshme për vaksinim masiv të popullatës, në mënyrë që të parandalohet shfaqja eventuale edhe e një vale të infeksioneve me Covid-19”, është shprehur infektologu Tolaj për arbresh.info.

Ai , nuk përjashton mundësinë që varianti indian të arrijë në Kosovë.

Sipas tij, paraqitja e variantit indian mund të ndërlidhet me shfaqjen e një vale të re të infeksioneve.

“Varianti indian pa dyshim se mund të vijë edhe në Kosovë, meqë vendi jonë nuk është i izoluar nga pjesa e tjetër e botës. Tashmë kur vende të Evropës e kanë konfirmuar prezencën e këtij varianti, është çështje kohe kur i njëjti do të paraqitet edhe tek ne. Prezenca e këtij varianti mund të ndërlidhet me shfaqjen e një vale të re të infeksioneve. Në gjithë këtë situatë, një fakt është i volitshëm: Ky variant nuk shkakton semundshmëri më të madhe se variantet e deritashme, e as vdekshmëri më të lartë. Gjithashtu vaksinat janë efikase në mbrojtjen edhe nga ky variant”, pohon Tolaj.

Tolaj, mendon që ardhja e bashkatdhetarëve në sezonin e verës nuk do të paraqiste ndonjë problem, pasi që vendet e Evropës janë duke vaksinuar popullatën e tyre në mënyrë masive.

“Çdo gjë është e mundur, por nuk pres të ndodh një gjë e tillë. Vendet prej nga vijnë bashkatdhetarët tonë tashmë janë duke vaksinuar popullatën e tyre në mënyrë masive. Kjo e zvogëlon rrezikun që personat që vijnë tek ne të jenë përhapës masiv të infeksionit. Në anën tjetër, tek ne, një përqindje masive e popullatës e kanë kaluar infeksionin, d.m.th. kanë krijuar një shkallë të caktuar të imunitetit ndaj Covid-19. Masat e njëjta të parandalimit të cilat kanë qenë aktuale deri tash, janë edhe tash e tutje. Edhe pse masa kryesore mbrojtëse do të ishte vaksinimi masiv i popullatës me vaksinën anti-Covid19”.

Edhe eksperti i shëndetësisë, Ilir Hoxha nuk përjashton mundësinë që vendi të përfshihet nga një valë e re infektimesh.

Megjithatë, Hoxha thotë se ani pse shumica e popullsisë tashmë e kanë kaluar këtë virus dhe rreziku nuk mund të jetë i njëjtë si në valët e më hershme, mund të ndodh që edhe ata që janë vaksinuar të preken sërish, pasi virusi vazhdimisht po ndryshon strukturë gjenetike.

“Nuk do të ketë zgjedhje të madhe Kosova. Po besoj që me rritjen e vaksinimit edhe me faktin që me siguri më shumë se gjysma e popullatës veç ka kaluar COVID-19. Por, vala e re s’do të jetë aq tragjike, por ka mundësi të jete, p.sh shkak se virusi po ndryshon strukturë gjenetike. Kjo do të thotë që vaksinat mund të mos bëjnë punë dhe ata që janë të infektuar mund të infektohen përsëri”, shprehet Hoxha.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë mbi 50 mijë qytetarë janë vaksinuar me vaksinën anti-Covid-19.

Ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri tash ka arritur gjithsej 100 mijë e 612 raste, kurse i rasteve aktive me COVID-19 është 4 mijë e 218. /arbresh/

Related Articles