Krijimi i Fondit Sovran, Bankës Zhvillimore të Kosovës, punësimi deri në një vit të plotë për të gjithë të rinjtë të moshës 16-18 vjeç, janë vetëm disa nga prioritetet në aspektin ekonomik të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), parti kjo e cila më 22 mars, mori besimin e Kuvendit për të udhëhequr me Qeverinë.
Sipas ekspertëve të ekonomisë Krijimi i Fondit Sovran vështirë se mund të realizohet deri në fund të vitit, pasi që sipas tyre krahas pandemisë vendi po ballafaqohet edhe me shumë probleme të tjera.
Stabiliteti politik në vend, rishikimi i Ligjit për Banka dhe krijimi i Fondeve Investive janë vetëm disa nga punët që duhej ti bëjë qeveria për të arritur deri të krijimi i Fondit Sovran.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, nuk beson që deri në fund të vitit të krijohet Fondi Sovran, por megjithatë ai thotë se duhet pasur durim pasi që vendi po përballet me probleme të shumta.
“Nuk e besoj që deri në fund të vitit do të realizohet një fond i tillë apo një premtim, por duhet durim sepse ka shumë probleme të grumbulluara dhe është e pa mundur për gjashtë muaj të zgjidhen këto probleme, por qeveria e ka shumicën dhe në këtë drejtim këtë qeveri mund ta rrëzojë vetë qeveria”.
Për krijimin e një fondi të tillë, Gërxhaliu thekson nevojën se duhet të ketë stabilitet politik, pasi që pa të sipas tij fondi nuk do ta kishte efektin e vetë, pastaj i nevojshëm rishikimi i Ligjit për Banka dhe krijimi i Fondeve Investive.
“I kemi vetëm 20 ditë nga themelimi i qeverisë dhe problemet nga e kaluara janë aq të mëdha saqë jo vetëm 20 ditë por edhe 200 ditë nuk do të mjaftojnë, dhe në këtë drejtim është koha që të kemi durim në këtë drejtim.” u shpreh ai
Edhe drejtori ekzekutiv në Këshillin e Investitorëve Evropianë në Kosovë, Emrush Ujkani mendon njëjtë, duke shtuar se për një fond të tillë duhet stabilitet ekonomik dhe një qasje gjithëpërfshirëse.
“Lëvizja Vetëvendosje tash e ka në dorë pushtetin dhe natyrisht që e ka mundësi për të shtyrë përpara jo vetëm kështu çështje por çdo çështje tjetër, unë uroj që do gjë që merret të jetë në interesat e qytetarëve të vendit tonë dhe nuk dua të dyshojë se edhe qeveria aktuale se çdo gjë që merret në mënyrë të sinkronizume.” u shpreh ai
Fondi Sovran, sipas këtij plan-programi, do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre.
Agjencinë Kosovare të Privatizimit, LVV-ja e Albin Kurtit, ka paraparë ta shuajë dhe asetet e saj të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.