Ekspertja e forenzikës linguistike, Helen Fraser, deklaroi të martën para Dhomave të Specializuara se aktekspertizën e ka bërë me tetë materiale, nga 348 sa ishin gjithsej, raporton Gazeta Enigma.
Kështu deklaroi ajo gjatë parashtrimit të pyetjeve të prokurorisë në rastin ku ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Prokurori Joshua Hafetz gjatë parashtrimit të pyetjeve e përmendi numrin e provave audio.
“Nga 348 dosje audio që janë pranuar si provë në këtë çështje gjyqësore që mbulojnë më shumë se 28 orë audioincizime, në raportin tuaj thuhet se keni marrë vetëm tetë dosje me audio që është më pak se tre për qind”, tha Hafetz tek i parashtroi pyetje ekspertes.
“S’kam bërë ndonjë llogari, por kështu mund të jetë. Po”, tha Fraser, ekspertiza e së cilës është te materialet me zë që janë vështirë të kuptueshme.
Prokurori sugjeroi që dëshmitarja eksperte e propozuar nga mbrojtja e Thaçit i ka pasur në shqyrtim vetëm 3 për qind të materialeve audio.
“Pra përveç nëse ka edhe dosje të tjera audio që keni marrë dhe i keni dëgjuar dhe s’i keni shënuar në raportin tuaj, atëherë i bie që nuk di asgjë lidhur me 97 përqindëshin e mbetur të dosjeve audio në këtë çështje gjyqësore. A mund ta themi këtë”, pyeti Hafetz. E Frazer u përgjigj me “po”.
Në ditën e dytë të dëshmisë ajo tha se mund të mos i ketë përfshirë të gjitha audiot që i ka dëgjuar për ta bërë raportin. Ekspertja australiane i tha gjykatës se nuk e di se sa versione të aktekspertizës ia ka dërguar mbrojtjes së Thaçit para se të arrinte në raportin përfundimtar.
Në rastin për pengim të drejtësisë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për tentativë të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
