Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se nga sot do të hapet afati për subjektet politike që të aplikojnë për certifikim për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve garues, raporton Gazeta “Enigma”.
“Duke filluar nga 26 qershori dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025 dhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale”, ka deklaruar ai.
Tutje ai ka theksuar se aplikimi do të mundësohet online për subjektet politike dhe mbetet në vullnetin e tyre të përcaktohen për llojin e zgjedhjeve që duan të marrin pjesë.
“Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna duan të garojnë. Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku”, tha Elezi. /Gazeta Enigma/