E dërguara e Ministrisë se Jashtme të Gjermanisë për Ballkanin, Susanne Schütz është deklaruar për Deutsche Welle në prag të takimit virtual të kryeministrave të Ballkanit Perendimor në atë që quhet si Procesi i Berlinit. Ajo ka thënë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Schütz ka bërë të ditur se në këtë takim do diskutohet për krijimijn e një tregu rajonal.
“Qeveria gjermane, në vitin 2014, filloi Procesin e Berlinit së bashku me vendet e rajonit dhe partnerë të tjerë për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe në të njëjtën kohë për të përshpejtuar afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian”, ka thënë Schutz.
Ajo ka treguar se Procesi i Berlinit ka në fokus përmirësime direkte në jetën e qytetarit dhe ka përmendur disa nga arritjet e kësaj ngjarjeje si marrëveshja për heqjen e tarifave Roaming nga 1 korriku. Arritje tjetër ka thënë se është infrastruktura e rritur dhe zgjeruar gjatë 7 viteve të fundit, duke lidhur gjashtë vendet ndërmjet vete dhe me Bashkimin Europian. Ajo ka përmendur edhe Zyrën Rajonale të Rinisë, si një arritje afatgjatë për të ardhmen.
Ajo ka theksuar qëndrimet e mëparshme të zyrtarëve gjermanë, duke thënë se: “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, kjo është bindja jonë”.