Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka shfrytëzuar të drejtën e tij për votë në shkollën “Abaz Ajeti” në Gjilan.
Por për çudi, Haziri pati një problem të vogël gjatë votimit.
Ai dëmtoi fletëvotimin dhe me këtë rast iu desh të merrte një tjetër.
Pas votimit, Haziir ka ftuar qytetarët e Gjilanit që të ndajnë pak kohë në këtë ditë për të votuar.
“Të ndajnë pak kohë në këtë ditë të bardhë të nëntorit, e këtë të diele me gëzim dhe në mënyrë festive të dalin të votojnë dhe të përmbyllin procesin e zgjedhjeve lokale. Është përgjegjësi e secilit prej neve që të kujdeset për të zgjedhurit tanë. Shfrytëzoni këtë ditë dhe projektoni katër vjetëshin e ardhshëm dhe besimi juaj shprehet vetëm me votë”, tha Haziri.
Ai tha se deri tani s’ka pasur ndonjë problem, përpos atyre teknike që kanë qenë në mëngjes.
“Procesi po fillon pa telashe”, tha ai.
Haziri është pyetur se kush do të fitojë sonte në Gjilan, teksa tha se gjilanasit.
“Kush fiton sonte në Gjilan? Gjilanasit…Si gjithmonë”.
Ndryshe Lutfi Haziri ka drejtuar Komunën e Gjilanit për disa vite radhazi ndërsa nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale doli që të mos ketë marrë votat e mjaftueshme, duke u mundur nga Alban Hyseni i LVV-së. /Gazeta Enigma.