Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall , vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje.
Çmimi i më të mirit për javën e 13-të i takon futbollistit të FC Prishtina, Endrit Krasniqi.
Për futbollistin tonë kjo është hera e dytë që e fiton këtë çmim në këtë edicion. Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Lulzim Rrmoku, Skender Kapra dhe Flamur Sinani.
Endrit Krasniqi u vlerësua për paraqitjen e mirë dhe për golin që e vulosi fitoren e Prishtinës në duel me Llapin (2:0) në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas marrjes së çmimit, Krasniqi u shpreh i lumtur që vitrinës së tij të trofeve personal ia shtoi edhe një tjetër çmim të ‘Yllit të Javës’.
“Ky është një çmim i rëndësishem për mua, pasi atë dëshirojnë ta fitojnë të gjithë futbollistët që janë pjesë e elitës. Kjo është hera e dytë gjatë këtij edicioni që shpërblehem me këtë çmim dhe shpresoj ta fitoj edhe herave tjera. FC Prishtina tashmë e ka kapur një seri pozitive të rezulateve, gjatë të cilës periudhë përveç punës sonë të madhe e kemi pasur përkrah edhe fatin. Uroj që të vazhdojmë me rezultate pozitive dhe dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët dhe stafin për mbeshtetje”, ka theksuar Endrit Krasniqi për faqen zyrtare të FFK-së.
/Gazeta Enigma/