Shkolla e futbollit KF Trepça prej kësaj jave mbeti me njërin prej trajnerëve më të mirë të saj, legjendën e këtij klubi, Enes Mustafa.
Mustafa ishte trajner i gjeneratës U17 te shkolla e futbollit KF Trepça, por këtë javë ai bëri të ditur se ka dhënë dorëheqje për arsye familjare.
Ai e ka falënderuar klubin e Trepçës për korrektësinë e treguar për gjatë kësaj kohe sa ka punuar me ta, shkruan Gazeta Enigma.
Gjatë ditës së sotme edhe Trepça e ka falënderuar Mustafën për kontributin e dhënë sa ka qenë i angazhuar në shkollën e futbollit të këtij klubi.
“Pas shumë vite bashkëpunimi me shkollën tonë dhe kontributi të dhënë në gjeneratën U/17 erdhi momenti që me kërkesën e tij të ndërpritet ky bashkëpunim duke i dëshiruar suksese kudo që të jetë në çdo sferē tē jetës”, shkruhet në njoftimin e Trepçës.
Siç merr vesh Gazeta Enigma, me t’u larguar nga Trepça, Enes Mustafa është vërshuar nga ofertat e ndryshme për role të ndryshme, nga ai i trajnerit e deri te menaxher i lojtarëve.
Gazeta Enigma merr vesh se Enes Mustafa ka marrë ofertë nga një kompani për menaxhimin e lojtarëve që operon në Francë dhe Kosovë dhe pritet t’i fillojë së shpejti bisedimet. Nëse ecin bisedimet mirë, Mustafën shumë shpejt mund ta shohim në një rol të ri, atë të menaxherit.
Kujtojmë që Enes Mustafa vazhdon t’i mbroj ngjyrat e Kombëtares së Kosovës te veteranët që disa vite.