Manchester Unitedi ka zyrtarizuar emërimin e Erik ten Hag në krye të klubit për sezonin e ri.
Sipas njoftimit të faqes zyrtare të klubit anglez, Ten Hag ka nënshkruar kontratë deri në qershorin e vitit 2025 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Trajneri holandez në këtë post do ta zëvendësojë gjermanin Ralf Rangnick, i cili ka rolin e trajnerit të përkohshëm.
Ten Hag është shprehur se është nder i madh që ta marrë drejtimin e një klubi historik siç është Manchester United.
“Është një nder i madh të emërohem trajner i Manchester Unitedit dhe jam jashtëzakonisht i emocionuar nga sfida që më pret. Unë e njoh historinë e këtij klubi të madh dhe pasionin e tifozëve, dhe jam absolutisht i vendosur të krijoj një ekip të aftë për të dhënë suksesin që meritojnë. Do të jetë e vështirë të largohem nga Ajax pas këtyre viteve të pabesueshme, dhe unë mund t’i siguroj tifozët tanë për angazhimin tim të plotë dhe fokusimin në përfundimin e suksesshëm të këtij sezoni përpara se të shkoj te Manchester Unitedi”, ka thënë Ten Hag.