Escobari do të marrë pjesë në takimin e Ohrit

Escobari do të marrë pjesë në takimin e Ohrit

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar Ambasada e SHBA-së në Shkup, raporton Gazeta Enigma.



“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces”, kanë thënë për REL-in nga Ambasada amerikane në Shkup.

Në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, blloku evropian pret që liderët të pajtohen për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Kurti dhe Vuçiq më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka më nevojë për negociata për propozimin dhe shprehën gatishmërinë për të punuar në planin e zbatimit.

Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.

Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiq ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Propozimi i BE-së synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, që ka argumentuar se “nuk ka marrëveshje më të mirë”.

Related Articles