“Tash është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash”, kështu tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani kur u pyet për një deklaratë të kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili ditë më parë pretendoi se Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kanë kërkuar që të komunikojë me Milan Radoiçiqin për t’i siguruar votat që do të mundësonin zgjedhjen e Osmanit në këtë post.
“Është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash kështu që iu kisha lutur për çka do që keni pyetje t’i drejtoni në Presidencë”, tha Osmani para gazetarëve kur u pyet për këtë çështje, shkruan Enigma.
Kreu i AKR-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ditë më parë për media kishte thënë se kishte realizuar një bisedë me Milan Radojicic për të siguruar vota te mjaftueshme për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente. Pacolli pretendon se kjo ka ndodhur në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe se ka edhe dëshmitar për këtë çështje.
Pas mohimit që i është bërë nga pushteti, Pacolli ka vazhduar reagimet e tij dhe duke thënë se dikush nga Qeveria s’po e tregon të vërtetën. Deputeti Pacolli ka sqaruar se bëhet fjalë për sigurimin e votës së deputetit të Listës Serbe, Adem Hoxha.
Pacolli ka thënë se për atë që ka deklaruar ka dëshmi.
“Prapë po ju them, mos insistoni ma tutje, dikush në emër të qeverisë po e shtrembëron të vërtetën, (nuk desha të them që po gënjen). Për këtë çka kam thënë ka dëshmi dhe njerëz të tjerë. Mos harroni se po tregoheni shumë të ligë dhe jo mirënjohës”, kishte deklaruar Pacolli.