Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka zhvilluar një bazë të dhënash që do të jetë në dispozicionin e Policisë së Kosovës për hetimin e krimeve të luftës.
Baza e të dhënave që është krijuar nga EULEX mundëson hetuesve vendor qasjen në një sasi të madhe të dhënave, të dhëna këto që shërbejnë hetimin e rasteve komplekse që janë të ndërlidhura me krimet e ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Baza e të dhënave do të ndihmojë në menaxhimin e një sasie të madhe të të dhënave, të tilla si deklaratat e dëshmitarëve, provat mjeko -ligjore dhe informacion të detajuar mbi datat dhe vendet ku janë kryer krimet, duke ndihmuar hetuesit të identifikojnë të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
EULEX-it iu është dashur tri vjet për ta përfunduar këtë bazë të dhënave, e cila do të lehtësoj punën e hetuesve kosovarë për të zbardhur me sukses të gjitha krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë gjithë këtij procesi, EULEX -i gjithashtu ka organizuar kurse trajnimi për 20 hetues të Policisë së Kosovës me qëllim për të ndihmuar Njësinë e Hetimit të Krimeve të Luftës të Policisë së Kosovës në përmirësimin e kapaciteteve të saj në fushën e ndërtimit të rasteve, administrimit të rasteve dhe analizës së rasteve të krimeve të luftës.
“Shpresojmë që duke i lidhur rastet e personave të zhdukur me hetimet ekzistuese të krimeve të luftës, numri i grave, burrave dhe fëmijëve nga të gjitha komunitetet ende të pagjetur do të zvogëlohet më tej dhe të afërmit e tyre do të marrin drejtësi dhe dëmshpërblim” është deklaruar analisti i EULEX-it për krimet e luftës Roland Burgsteiner, i cili njëherësh edhe ndihmoi në zhvillimin e bazës së të dhënave
EULEX, rikonfiguroi mandatin e tij në vitin 2018 dhe i dorëzoi të gjitha dosjet e tij, përfshirë rreth 400 raste të krimeve të luftës, Policisë së Kosovës.