Facebooku vazhdon të jetë një prej rrjeteve sociale më të përdorura në Kosovë, ka thënë të hënën profesori i shkencave kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, Korab Rrmoku.
Rrmoku ka thënë se bazuar në raportet e “Data Reporter”, rrjeti i dytë social më i përdorur në Kosovë është Instagrami, ndërsa LinkedIn që përdoret për bashkëpunim profesional, ka numrin më të vogël të përdoruesve.
“Në bazë të raporteve të cilave po i referohem në Data Reporter që ka një kredibilitet të madh, Facebooku vazhdon të jetë një prej rrjeteve sociale më të përdorura në Kosovë. Ka mbetur sepse është prej të parëve, prej fillimit. Përdorues aktiv cilësohet ai që vetëm një herë në muaj hyn një rrjet social dhe raportet e marrin si përdorues aktiv. Vërejmë që kohëve të fundit rritje jashtëzakonisht të madhe kanë edhe rrjetet sociale që përdoren nga grupmoshat më të reja. Kemi Instagramin që vjen i dyti pas Facebookut në Kosovë, pastaj Snapchat për të vazhduar me Tëitter. LinkedIn që është rrjet social për bashkëpunim profesional fatkeqësisht në Kosovë ka numër të vogël të përdoruesve”, ka thënë ai në KTV.
Ai ka potencuar nevojën që shoqëria kosovare të edukohet për rreziqet eventuale që mund të përcjellin rrjetet sociale.
“Ndikimi jashtëzakonisht i madh i rrethit edhe në familje që mund të bëhet. Çdo pamje, çdo detaj, çdo kërkesë për shoqërim, çdo video që na shfaqet neve në asnjë formë nuk është e rastësishme. Është një kalkulim i mirëmenduar që ndodh në prapavijë. Nevojitet edukim i mirëfilltë për përdorimin e rrjeteve sociale. Rrjetet sociale janë nyje të ndërlidhura jashtëzakonisht dendur mes vete”, është shprehur ai.
Rrmoku ka thënë se një prej sfidave më të mëdha të rrjeteve sociale është besueshmëria, gjë që vërehet te dizajnimi i tyre me ngjyrë kryesisht të kaltër.
“Nëse e vëreni me kujdes, shumica e rrjeteve sociale që ne përdorim sot janë të dizajnuara më ngjyrën e kaltër. Kanë ndodhur në ndërkohë ndryshime në dizajn. Ky është aspekt i mirëmenduar. Në aspektin sociologjik, gjë që është edhe vërtetim shkencor. Ngjyra e kaltër përçon besueshmëri, fortësi. Që në fillim të tyre kanë dashur të tregojnë se janë të besueshme”, ka thënë ai.