Kosova ka shënuar fitore në ndeshjen miqësore ndaj Gambisë në Antalya të Turqisë me rezultat minimal 1:0.
Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 80-të. Arbër Hoxha depërtoi bukur nga e majta dhe iu afrua portës. Ai më pas goditi fuqishëm duke e “bombarduar” portën e Gambisë.
Menjëherë në aksionin tjetër, gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti për Gambinë. Megjithatë, goditja e Barrow përfundoi mbi portë, shkruan Gazeta Express.
Në minutat e fundit, Halimi bëri një pritje duke ia shpëtuar fitoren “Dardanëve”.
Gjatë tërë ndeshjes, Kosova tregoi më shumë dhe ishte më e mirë, duke e mbyllur në fund me fitore.
Kështu, “Dardanët” e mbyllin me fitore kampanjën e tyre të miqësoreve të qershorit. Nga katër ndeshjet, Kosova i fitoi tri dhe e humbi një, atë ndaj Guineas.
Ndërsa ekipi i udhëhequr nga Challandes fitoi sfidat ndaj San Marinos, Maltës dhe Gambisë. /Gazeta Enigma/