Familja Bytyqi kërkon që SHBA-ja të angazhohet për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Familja Bytyqi kërkon që SHBA-ja të angazhohet për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Familja Bytyqi i bën thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, që të angazhohet seriozisht për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllëzerve Bytyqi në Serbi më 1999.

“Deri më tani, ne jemi thellësisht të zhgënjyer që administrata nuk ka ndërmarrë hapa më seriozë kur mund të bëhej kaq shumë”, thuhet në një komunikatë të familjes Bytyqi.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

“I bëjmë thirrje administratës së presidentit Biden që të fillojë një angazhim serioz për këtë çështje para se të jetë tepër vonë. Presidenti Biden u dha një premtim vëllezërve tanë, familjes sonë dhe komunitetit tonë. Shpresojmë që administrata e tij shpejt ta përmbushë atë premtim”, thuhet në deklaratën e familjes Bytyqi.

Aty theksohet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë, vazhdimisht kanë treguar se janë një aktor jo i besueshëm në këtë çështje “por, zyrtarët e Departamentit të Shtetit refuzojnë të pranojnë këtë fakt”.

Baza e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, atëbotë ishte nën komandën e Goran Radosavleviqit-Guri.

Ditë më parë Serbia nderoi me një medalje mirënjohjeje ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq-Guri.

Radosavleviq është në listën e sanksioneve të SHBA-së pasi dyshohet si i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Ambasada amerikane në Serbi ka thënë më 3 korrik se Radosavleviq “duhet të përballet me drejtësinë dhe nuk duhet të marrë medalje”.

Më 7 korrik, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka thënë se është duke mbledhur prova të reja me qëllim që të “përcaktohet identiteti” i autorëve të vrasjes së vëllezërve Bytyqi më 1999./REL

Related Articles