Familja nga Shtimja që humbi 4 anëtarë të familjes, ia fal gjakun familjes Musliu

Në varrezat e Shtimes janë varrosur sot katër anëtarët e familjes Ramadani të cilët vdiqën të dielën si pasojë e një aksidenti në trafik

Pas ceremonisë së varrimit, është zhvilluar edhe një ceremoni tjetër – ajo e faljes së gjakut.

Familja Ramadani ka falur sipas traditës katër gjaqet ndaj familjes Musliu, prej së cilës vjen drejtuesi i veturës së përfshirë në aksident, shkruan KlanKosova.

Po ashtu është njoftuar se përveç të pamës që do të mbahet tre ditë tek familja Ramadani, po kaq ditë të pame do të mbajë edhe familja Musliu.

Ndërmjetësues për faljen e gjaqeve kanë qenë kryetarët e komunave, Agim Aliu i Ferizaj dhe Naim Ismajli i Shtimes.

Ndryshe, fmilja Ramadani nga Shtimja u shua dje në një aksident të rëndë trafiku në fshatin Koshare të Ferizajt.

Në vendin e ngjarjes vdiq Naim Ramadani 39 vjeç, nëna e tij (60), gruaja (32) dhe djali (10). Në gjendje kome vazhdon të ndodhet motra e tyre, e cila po trajtohet në QKUK në Prishtinë.

Për ngjarjen që tronditi gjithë vendin, Gazeta Express ka qëndruar sot në Shtime dhe nga atje sjell rrëfimet e axhës së kryefamiljarit, drejtorit të shkollës ku 10-vjeçari kishte vijuar mësimet deri në klasën e katërt dhe të kryetarit të Komunës Naim Ismajli. Të gjithë apelojnë për kujdes dhe vëmendje të shtuar në komunikacion.

Related Articles