Australia ka kërkuar ndihmën e FBI-së për kapjen e hakerëve përgjegjës për një ndër sulmet më të mëdha kibernetike në këtë vend. Hakerët vodhën të dhëna personale, ndër to adresat e shtëpive, numrat e lejeve të drejtimit të automjeteve dhe të pasaportave të mbi 10 milionë klientëve të kompanisë gjigante të telekomunikacionit Optus.
Pasi u vodhën të dhënat masive të klientëve, kompanisë Optus iu kërkua nga hakerët që të paguajë. Por, në vazhdim pati edhe një zhvillim të papritur. Në një platformë në internet pati edhe një ndjesë publike nga një llogari që hetuesit besojnë se i përket njërit prej hakerëve të dyshuar, i cili mund të jetë shqetësuar nga vëmendja që mori ky rast, njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phil Mercer.
“Ka shumë sy. Nuk do t’ia shesim të dhënat askujt. Ndjesë 10.2 milionë australianëve të cilëve u dolën të dhënat. Nuk na u bë pagesa, por nuk na intereson më”, shkruhej në atë llogari.
Qeveria australiane fajësoi Optus-in, një nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në vend. Ministrja australiane për sigurinë kibernetike, Clare O’Neil, tha se kompania ua kishte bërë të lehtë hakerëve të hynin në sisteme.
“Ajo çfarë përbën shqetësim për ne është se ndaj Optus-it u bë një ndërhyrje krejt e thjeshtë. Nuk duhet të kemi një kompani telekomunikacioni në këtë vend që ka lënë praktikisht një dritare hapur që të vidhen të dhënat e kësaj natyre”, tha ajo.
Por, drejtorja ekzekutive e kompanisë Optus, Kelly Bayer Rosmarin, mohoi që masat mbrojtëse kibernetike të kompanisë të kenë qenë të pamjaftueshme. Ajo tha se të dhënat kishin qenë të kriptuara dhe se kishte disa nivele mbrojtjeje. Shumë klientë të kompanisë kanë tashmë shqetësimin e thellë se të dhënat e tyre personale janë kompromentuar.
FBI-ja i është bashkuar tashmë përpjekjeve për të identifikuar autorët e vjedhjes së të dhënave.
Frank Montoya Jr., ish-agjent special i FBI-së, i tha rrjetit mediatik Australian Broadcastin Corp., se mund të jetë përfshirë një qeveri e huaj.
“Përpiqemi të përcaktojmë nëse është një shtet apo një organizatë kriminale. Kjo mund të rezultojë një sfidë, pasi ndonjëherë vetë shteti është organizatë kriminale. Më vjen p.sh. në mendje Koreja e Veriut, që i kërkon këto të dhëna për arsye të ndryshme. Por, ndonjëherë u duhen edhe vetëm për t’i shitur në tregun e zi të internetit (dark web), që të sigurojnë të ardhura”, thotë ai.
Ekspertët australianë të sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar se nëse kompanitë nuk bëjnë më shumë për të mbrojtur të dhënat personale të klientëve të tyre, ndërhyrjet e piraterisë kibernetike, si tek kompania Optus, mund të ndodhin sërish.