Futbollistët e Dritës e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Antwerpit.
Ekipi kosovar është stërvitur të mërkurën mbrëma në stadiumin “Bosuil”, aty ku edhe do të luhet ndeshja, të enjten prej orës 19:00.
Ndërsa, trajneri i klubit “Drita”, Ardian Nuhiu tha se kjo do të jetë ndeshja e fortë dhe se kanë analizuar aq sa kanë mundur kundërshtarin nën udhëheqjen e trajnerit të tanishëm.
“Do të jetë një ndeshje e fortë kundër një kundërshtari shumë serioz, stabil dhe me nje projekt serioz! Kemi analizuar aq sa kemi mundur kundërshtarin nën udheheqjen e trajnerit të tanishëm. Ata luajn futboll të bukur, skuadër kompakte dhe gjithashtu me individ cilsor. Projekti që ata kanë, stabiliteti skuadrës, tradita e tyre dhe forca që ata kanë, do të jetë motiv për ne. Një mundësi e artë për futbollistët e mi për tu përballur me një ekip të fortë dhe për të treguar vlerat tona. Është sportive të besojmë dhe të provojmë të bëjmë gjëra të mëdha”, tha Nuhiu.
Ndërsa, kapitani Ard Limani tha se i pret një ndeshje shumë e vështirë, por që sipas tij duhet të jenë të kujdesshëm në çdo aspekt të ndeshjes.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë nesër, por ne kemi ardhur këtu me vetbesim të plotë se mund të marrim rezultat të mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm në çdo aspekt të ndeshjes, sepse në këtë nivel nuk falen gabimet. Jemi shumë të motivuar për të zhvilluar ndeshje të madhe nesër dhe kemi besim që do ti shfrytëzojmë mundësitë tona që do të na paraqiten në ndeshje. Kemi dy ndeshje dhe nëse nesër marrim rezultat të mirë, në Prishtinë do të jetë ndeshje e zjarrt sepse do t’i kemi Intelektualët pas vetës, por fokusin e kemi së pari tek ndeshja e parë. Shpresoj që do të na ec gjithqka siç e kemi planifikuar”, tha Limani.