FC Ferizaj është kurorëzuar me titullin e kampionit në Raiffeisen Ligën e Parë – Grupi B.
Në ceremoninë e ndarjes së trofeut dhe medaljeve për FC Ferizaj, të organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës pas ndeshjes së javës së parafundit të këtij edicioni ndërmjet Ferizajt dhe Vushtrrisë, e cila u mbyll me fitoren e mysafirëve 3-2.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ndau trofeun për kapitenin Edon Sadriu, derisa medaljet për futbollistët dhe stafin i ndanë Ismajl Ajeti, anëtar i KE-së, Xhemile Murati Shabani, drejtoreshë për sport në komunën e Ferizajt dhe Faton Sojeva e Përparim Veliu veteranë të klubit ferizajas.
Ademi e ka përgëzuar FC Ferizaj për rikthimin e shpejt në elitë. “Urime FC Ferizaj rikthimi në AlbiMall Superligë. Titulli i kampionit në Raiffeisen Ligën e Parë – Grupi B është një sukses i merituar pas një edicioni të jashtëzakonshëm për klubin tuaj. Me punën tuaj profesionale, organizimin e mirë, përkushtimin e gjithsecilit në klub dhe mbështetjen e tifozëve arritët që brenda një viti të riktheheni në elitë”.
“Përgëzoj drejtuesit e klubit, stafin, futbollistët, tifozët ‘Ujqit’ dhe të gjithë qytetarët ferizajas për këtë sukses. Uroj që në edicionin e ardhshëm me paraqitjet tuaja t’i jepni hijeshi Superligës dhe të kontribuoni në rritjen e mëtejme të nivelit të futbollit në vendin tonë. Mirë se u riktheve në Superligë! Urime Ferizaj”, ka theksuar kreu i FFK-së.
Ndërkaq, kapiteni i skuadrës Edon Sadriu u shpreh i lumtur që e realizuan objektivin që ia kishin vendosur vetes.
“Ka qenë kampionat i vështirë por falë organizimit të mirë të klubit dhe përkrahjes së kryesisë kemi arritur që të rikthehemi në Superligë. E kemi merituar këtë festë dhe i paralajmërojmë të gjithë se FC Ferizaj do të jetë arrë e fortë për të gjithë në elitë”, ka thënë Sadriu.