Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), ka njoftuar se ditën e premte do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë dhe para Qeverisë së Kosovës.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se protesta para MSH-së do të mbahet në ora 11:00-11:30, kurse para Qeverisë protesta do të nis në ora 13:00.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës duke u bazuar ne vendimin e Kryesisë se FSSHK-së te datës 14.09.2021, pas diskutimit të të gjitha mundësive për reagim sindikal në përputhje edhe me situatën e krijuar me Pandeminë COVID-19 ka vendosur unanimisht të njofton publikun e gjerë si dhe institucionet relevante te qeverisjes vendore (Presidentën, Kryeministrin, Kryeparlamentarin, Ministrin e Shëndetësisë dhe Mediat) se me datë 17.09.2021 (E Premte) do mbahet PROTESTË. Protesta do të mbahet në ora 11:00-11:30 para Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.
Kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për Ministrinë e Shëndetësisë janë:
• Vazhdimi i dialogut social,
• Nxjerrja e udhëzimit administrativë për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për luftimin dhe parandalimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
• Protesta do të mbahet në ora 13:00-13:30 në po të njejtën ditën para Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.
Kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për Qeverinë e Republikës së Kosovës janë:
• Ligji mbi Pagat,
• Dhe shtesat mbi pagë bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për luftimin dhe parandalimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Në njoftim thuhet se, pjesëmarrës në Protestë do të jenë vetëm anëtarët e Kryesisë së FSSHK-së për shkak të situatës së krijuar me Pandeminë COVID-19.
“Njëkohësisht ju njoftojmë që Protesta jonë e ka përkrahjen nga gjitha odat e profesionistëve shëndetësor dhe shoqatat sindikale”.