FFK dënon veprimet e kryetarit të “Dardanëve” pas ndeshjes me Qipron

FFK dënon veprimet e kryetarit të “Dardanëve” pas ndeshjes me Qipron

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka dënuar ashpër veprimet e kryetarit të klubit “Dardanët”, Lulzim Berisha, pas incidentit të ndodhur pas ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Qipros.

FFK-ja thekson se kërkimfalja që ndodhi ndaj kapitenit Amir Rrahmani dhe futbollistëve të tjerë shënon mbylljen e një rasti aksidental dhe shpreson se kjo situatë do të forcojë lidhjet midis lojtarëve dhe tifozëve, shkruan Gazeta Enigma.

“Federata e ka përcjellë me shqetësim rastin në fjalë dhe në parim gjithnjë qendron në anën e futbollistëve të ekipit kombëtar, duke shfaqur mbështetjen dhe duke kërkuar respekt për ta. Konsiderojmë që kërkimfalja që ka ndodhur ndaj kapitenit dhe futbollistëve shënon mbylljen e një rasti aksidental të momentit dhe shpresojmë se do të shërbejë si rast që do të lidhë edhe më fuqishëm ekipin dhe përkrahësit para sfidave të reja të kombëtares sonë. Përtej kësaj Federata, çmon shumë dhe shpreh falënderimin e vet për të gjithë tifozët dhe shikuesit që e përcjellin dhe e përkrahin ekipin kombëtar, por kërkon nga ta që të shfaqin respektin fillimisht për futbollistët e ekipit tonë kombëtar, mirëpo edhe për të gjithë akterët tjerë të ndeshjes, përfshirë edhe ekipin kundërshtar”, thuhet në reagimin e FFK-së.

FFK shton se kërkohet respekt si nga tifozët, ashtu edhe nga futbollistët, për të siguruar një atmosferë pozitive.

“Ne dhe futbollistët e ekipit kombëtar e kuptojmë saktë dhe drejt reagimin e tifozëve, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojmë që reagimet të cenojnë respektin për asnjë prej anëtarëve të ekipit kombëtar. Në të njëjtën kohë, FFK-ja kërkon nga të gjithë anëtarët e saj, përfshirë edhe futbollistët e ekipit kombëtar, që të shfaqin respektin e duhur për të gjithë tifozët dhe shikuesit që vijnë për të përkrahur kombëtaren pa kushtëzim, në numër maksimal sa lejon kapiciteti i stadiumit, sepse janë ata që i japin emocion lojës së futbollit. Ekipi kombëtar është i të gjithë Kosovës, prandaj ta duam dhe ta përkrahim secili duke dhënë kontributin nga këndi i vet”, thuhet në reagimin e FFK-së.

FFK-ja gjithashtu i kujton tifozëve se ata janë një pjesë e rëndësishme e ekipit kombëtar, duke kërkuar që të shfaqin respekt për të gjithë aktorët e ndeshjes, përfshirë ekipin kundërshtar.

“Ekipi kombëtar është i të gjithë Kosovës, prandaj ta duam dhe ta përkrahim secili nga këndi ynë,” theksohet në komunikatën e FFK-së.

Incidenti ka lindur pas ndeshjes kur Lulzim Berisha ka ofenduar kapitenin Rrahmani, megjithëse fillimisht ai e mohoi këtë veprim.

Pas tensioneve, Berisha ka kërkuar falje për veprimet e tij.

FFK-ja shpreson që ky rast do të shërbejë si një mësim për të gjithë në mënyrë që të ruhet respekti dhe harmonizimi brenda komunitetit futbollistik./GazetaEnigma/

Related Articles