Gjyqtarët e ndeshjeve në Superligën e Kosovës dhe Ligën e Parë në edicionin 2025/2026, nuk do të delegohen përmes shortit, ashtu siç ishte bërë në dy edicionet e kaluara.
Caktimi i gjyqtarëve për ndeshjet e Superligës, që nis të dielën, do të bëhet nga Komisioni për delegimin e gjyqtarëve dhe kontrolluesve për Superligë dhe Ligën e Parë.
Tri klube të kontaktuara nga KOHA nuk kanë dashur të komentojnë vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për mënyrën e re të delegimit të gjyqtarëve.
Në dy edicionet e kaluara, 2023/2024 dhe 2024/2025, delegimi i gjyqtarëve është bërë përmes shortit, që është tërhequr para çdo xhiroje, e që është transmetuar në rrjetet sociale të FFK-së.
Kanë qenë katër vazo të mbushura me gogla. Njëra vazo ishte e mbushur me emrat e gjyqtarëve kryesorë, dy të tjera me asistentin e parë dhe të dytë dhe një me arbitrin e katërt. Por kjo mënyrë e delegimit nuk ishte e përshtatshme, sidomos për gjyqtarët elitarë. Ata kanë pasur shumë ankesa, por për media nuk kanë folur.
Vendimi ishte marrë pasi në të kaluarën ka pasur reagime nga më të ndryshmet për ndarje të drejtësisë nga gjyqtarët. Po ashtu ka pasur akuza se gjyqtarët me qëllim ishin deleguar për interes të ndonjë klubi. Dhe, për t’i shmangur akuzat, Federata e Futbollit e Kosovës vendosi që delegimin e gjyqtarëve ta bëjë me short.
Por, KOHA ka mësuar se UEFA ia ka rekomanduar FFK-së të ndryshojnë mënyrën e delegimit të gjyqtarëve.
Në rregulloren e UEFA-s për gjyqtarë shkruan se ndalohet delegimi i gjyqtarëve me short për edicionin 2025/2026.
Edicioni i ri i Superligës nis me ndeshjet Dukagjini – Prishtina, Malisheva – Prishtina e Re dhe Drenica – Llapi. Drita e Ballkani pushojnë për shkak të ndeshjeve kualifikuese, Ligës së Evropës, përkatësisht Ligës së Konferencës.
Kampionia Drita, të enjten nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e zhvillon ndeshjen kthyese ndaj FCSB-së, e vlefshme për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Ndeshjen e parë, Drita e humbi në Bukuresht me rezultat 3:2. Ndeshja kthyese luhet të enjten në Prishtinë..
Ndërkohë Ballkani po ashtu të enjten nga ora 21:00 në Dublin e luan ndeshjen kthyese të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj Shamrock Roversit. Ballkani e fitoi 1:0 ndeshjen e parë në Prishtinë.
Ligën e Parë nga ky edicion do të jetë 18 ekipe pjesëmarrëse dhe jo si në edicionet e fundit kur skuadrat ishin të ndara në dy grupe.