Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se stafi teknik dhe lojtarët e Përfaqësueses janë të vendosur të reagojnë me një paraqitje më të mirë në ndeshjen ndaj Suedisë, pas humbjes 4:0 ndaj Zvicrës të premten në Bazel.
Sipas njoftimit të FFK-së, përfaqësuesja ka mbërritur pasditen e së shtunës në Prishtinë, ku futbollistët kanë zhvilluar një seancë rigjeneruese.
Ata që luajtën mbrëmë në fushë kanë kryer ushtrime në fitnes, ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje të lehta në terren.
“Tashmë, kombëtarja dardane ka lënë pas krahëve sfidën në Bazel dhe është e përqendruar tërësisht në ndeshjen e së hënës në ‘Fadil Vokrri’, ku po bëhet analiza e Suedisë dhe përgatitja sa më e mirë për këtë përballje jo të lehtë. Stafi teknik dhe lojtarët janë të vendosur për të reaguar me paraqitje më të mirë dhe për të dhënë maksimumin në fushë.”, thuhet në njoftim.
Kosova tashmë përgatitet për sfidën e radhës, e cila do të zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku nga ora 20:45 do të përballet me Suedinë.