Fillim i dobët i Kosovës në “Ligën e Kombeve”, mposhtet nga Rumania në ‘Fadil Vokrri’

Fillim i dobët i Kosovës në “Ligën e Kombeve”, mposhtet nga Rumania në ‘Fadil Vokrri’

Kosova ka pësuar humbje me rezultat 3-0 ndaj Rumanisë në kuadër të ndeshjes së parë në Ligën e Kombeve.

Mundësinë e parë për gol ‘Dardanët’ e patën me anë të Vedat Muriqit në minutën e nëntë, i cili me kokë gjuajti mbi portën e portierit mysafir Nita.

Në minutën e 20-të Fisnik Asllani u rrëzua brenda zonës pas një kontakti me mbrojtësin rumun, por gjyqtari vendosi që ndeshja të vazhdojë.

Një tjetër rast për gol për Kosovën erdhi në minutën e 31-të kur Milot Rashica bëri një goditje të fuqishme e cila u prit nga portieri rumun.

Rumunët në anën tjetër patën një mundësi të mirë shënimi me anë të Dragus në minutën e 35-të, por fatmirësisht gjuajtja e tij me kokë u prit me lehtësi nga Aro Muric.

Pikërisht në momentet kur më së paku pritej, Rumania arriti që të kalojë në epërsi prej 1-0 në minutën e 40-të me anë të Dennis Man.

Valentin Mihaila ishte shumë afër që të dyfishonte epërsinë e mysafirëve, por gjuajtja e tij në minutën e 44-të u ndal nga shtylla.

Në pjesën e dytë mysafirët arritën që të shënojnë edhe në dy raste të tjera për të marrë tri pikë si dhe primatin në grup.

Fillimisht ata shënuan me anë të Razvan Marin në minutën e 51-të i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për 2-0, ndërsa golin përfundimtar e shënoi Denis Dragus në minutën e 81-të pas topit të kthyer nga një pritje e Muric.

Pak minuta para se të përfundonte ndeshja, Mërgim Vojvoda u përjashtua me karton të kuq pasi mori kartonin e dytë të verdhë.

‘Dardanët’ do të synojnë që të rikthehen tek rezultatet pozitive të hënën, atëherë kur do të luajnë në udhëtim ndaj Qipros.

Related Articles