Gjykata Penale Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara në Hagë sot pritet ta konfirmojë dënimin me burgim të përjetshëm ndaj kriminelit serb, Ratko Mlladiq.
Darko Mlladiq, djali i gjeneralit që kreu masakra të tmerrshme në Bosnje e më gjerë, transmetoi sot për mediumin serb, Novosti fjalët e babait të tij para nisjes së seancës ku pritet t’i kumtohet vendimi.
“Jam dëgjuar me Ratkon. Nuk u pamë para mesdite. Ai më tha se “nëse është sipas drejtësisë së Zotit, vendimi do të jetë i mirë dhe unë do të lihem i lirë, e nëse është sipas Brammertz (kryeprokuror), atëherë kjo nuk është drejtësi”, tha Darko.
Djali i Mlladiqit aktualisht është në sallën e gjyqit për ta ndjekur verdiktin drejtpërdrejt. Ai u lejua ta vizitonte kriminelin Mlladiq për pak kohë sot.
Kryeprokurori i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare (MICT), Serge Brammertz, tha dje se pret që dënimi i kriminelit serb Ratko Mlladiq me burgim të përjetshëm të konfirmohet.
“Ne jemi optimistë se kemi arritur t’i bindim gjykatësit e Dhomës së Apelit për ta konfirmuar vendimin e shkallës së parë”, tha Brammertz në një intervistë me shërbimin publik të BeH, BH Radio 1.
Dhoma e Apelit e MICT me pesë anëtarë do ta japë verdiktin për Mlladiqin sot në gjykatën në Hagë.
Mlladiq u gjet fajtor për krimet më të rënda të luftës, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës, por paneli i ICTY hodhi poshtë pretendimet se ai ishte përgjegjës për gjenocidin e kryer në pesë komuna të tjera të Bosnje e Hercegovinës më 1992, të tilla si Prijedori, ku forcat serbe të Bosnjës i vranë dhe dëbuan gjithë popullsinë kroate dhe boshnjake.
Prokuroria i ka kërkuar panelit të shkallës së dytë të MICT ta konfirmojë këtë akuzë dhe viktimat e krimit shpresojnë kështu.
Brammertz është i bindur se dënimi me burgim të përjetshëm do të konfirmohet, por ai paralajmëroi se edhe pas kësaj, problemi i krijuar nga përpjekjet për të sfiduar provat e provuara në gjykatë dhe relativizimin e krimeve do të mbetet. Brammertz thekson se glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit në rajonin e Ballkanit Perëndimor është tani më i pranishëm sesa ishte dhjetë vjet më parë, kështu që ai planifikon ta paralajmërojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kur ta paraqesë një raport të rregullt Zyra e prokurorit të MICT.