Flet prindi i trevjeçarit që dyshohet se u rrah në një çerdhe në Fushë Kosovë

Flet prindi i trevjeçarit që dyshohet se u rrah në një çerdhe në Fushë Kosovë

Policia e Kosovës dhe inspektorët e MASHT-it kanë zbarkuar sot në çerdhen shtetërore “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, pas raportimeve të familjarëve të një 3-vjeçari se është rrahur brutalisht nga edukatoret në kopsht.

Prindi ka treguar se si në kopsht e kanë thirr edukatoret për të treguar për problemet që i ka bërë djali i saj.

“Mësuesja Fitore më tha hajde këtu se djali ytë e ka ba namin. Më erdhi shumë keq sepse mendova që e ka rrëzu dikon ose ka thy ndonjë gjë. I thashë ju kërkojë falje, por tha jo ka dal e ka shkarravitë. Unë i thash kena me ja ble mësues një çokollatë edhe me i thënë më fal nesër, jam lazdru, dhe i thashë duhet me i përmbushë dënimet nëse t’i ka dhënë mësuesja, por ky kishte marrë dënime brutale”, tha ajo për T7.

Ajo ka treguar se si djali i ka treguar se gjatë qëndrimit në kopsht nuk ka ngrënë e as nuk ka pirë për 8 orë rresht.

“Më ka thënë djali nuk kam hëngër bukë, nuk kam pi ujë që 8 orë. Fëmija im pa hangër pa pi. Ka pi ujë i kam përgatitur ushqimin në shtëpi. I thash le se të jep mami në shtëpi bukë. Jam detyru mu ndal i ka hëngër dy hamburger dhe një shishe ujë. I thirra familjarët dhe u thashë qashtu po më thotë djali por nuk jam e sigurt”, ka thënë ajo.

Fjalë të mira ajo ka pasur vetëm për drejtoreshën.

“Këtu e kam edhe vajzën. Vajza po kalon shumë mirë. Drejtoresha më ka përkrahur dhe kemi me shku deri ne fund. Ajo ka qenë gjithmonë me mua, me neve prindërve dhe me gjithë fëmijët e çerdhes. E falënderojë shumë por edukatorët nuk janë të sjellshme”, deklaroi tutje ajo.

Ky fëmijë sipas prindit në këtë kopsht është duke shkuar që nga 1 shtatori.

Qytetari Fatos Geci, deklaron se nipi i tij 3-vjeç është rrahur brutalisht nga mësueset në çerdhen e fëmijëve “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.

Në pamjet e publikuara nga ambientet brenda çerdhes shihet teksa nipi i tij 3-vjeç, tërhiqet zvarrë nga mësueset, ndërsa ka publikuar edhe foto nga lëndimet që ka marrë fëmija.

Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë të reagojnë në ndërmarrjen e veprimeve ndaj mësueseve, ndërsa ka theksuar që nipi i tij si pasojë e rrahjes, përveç lëndimeve trupore, ka pësuar trauma të rënda psikike.

Përveç policisë në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Related Articles