Flitet se Franco Foda mund të marrë drejtimin e Kosovës

Flitet se Franco Foda mund të marrë drejtimin e Kosovës

Franco Foda është emri i ri që është lidhur me pozitën e trajnerit te Kombëtarja e Kosovës.

“Dardanët” janë pa trajner që nga largimi i sllovenit, Primoz Gliha, në fund të vitit të kaluar.

Nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është bërë me dije se trajneri i ardhshëm do të jetë gjerman, por ende nuk ka asnjë zyrtarizim.

Sidoqoftë, bazuar në informacionet e “Salzburger Nachrichten”, Franco Foda mund të marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës. Trajneri në fjalë është shprehur i gatshëm për t’u rikthyer në futboll.

Pas një periudhe të shkurtër te Zurichi, 57-vjeçari mori një pushim. Ai është pa punë që nga shtatori i vitit 2022.

“Doja të fikja dhe të mbushja bateritë. Tani jam gati për një detyrë të re”, tha ai në një intervistë për “SN”.

Foda, i cili drejtoi Kombëtaren e Austrisë nga nëntori 2017 deri në mars 2022 duke u bërë trajneri i parë që drejtoi austriakët në një fazë të 16-të të Kampionatit Evropian, tani është gati për një detyrë të re. Mediumi austriak shkroi se në kohët e fundit nuk kanë munguar ofertat për të, gjë që u konfirmua edhe nga vet ai.

“Kam pasur shumë takime. Kishte pyetje nga vendet arabe dhe evropiane. Ndër të tjera, një klub nga Arabia Saudite”, tha Foda rreth dy javë më parë.

Rikthimi i Fodas si trajner i një Kombëtareje?

Së fundmi raportohet se për gjermanin ka shfaqur interesim Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), për emërimin e tij si trajner të ekipit kombëtar. Dhe kjo ofertë tani mund të bëhet konkrete. Sipas informacioneve të “SN”, Kosova, e cila renditet e 101-ta në renditjen botërore të FIFA-s, dëshiron të nënshkruajë me ish-trajnerin e Kaiserslautern e Sturm Graz. Thuhet gjithashtu që Foda zbarkoi në Vjenë të hënën pasdite me një aeroplan që vinte nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina. Negociatat besohet të jenë zhvilluar në ditët e fundit dhe një vendim përfundimtar ndoshta mund të pasojë në ditët në vijim.

Kosova, që së fundmi regjistroi një dështim në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, synon që në të ardhmen e afërt të regjistrojë një kualifikim historik në një ngjarje madhore.

“Salzburger Nachrichten” bëri të ditur se ka pyetur Franco Fodan rreth kësaj çështjeje, mirëpo që ai ka refuzuar të jepte një përgjigje.

Related Articles