Ditë më parë është raportuar nëpër media që Florent Muslija e ka refuzuar ftesën e Përfaqësueses së Kosovës, për shkak se ai nuk ishte ftuar në ndeshjet e marsit.
Por, duket se këto lajme janë tërësisht të pavërteta. Futbollisti ka reaguar në rrjetet sociale duke përgënjeshtruar këto lajme dhe duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në lajmet që po qarkullojnë. Këtë Muslija e ka treguar në një postim që e ka bërë në InstaStory.
“Reagim ndaj lajmeve të pavërteta që po qarkullojnë për mua. As nuk e kam refuzuar ftesën, as nuk jam i frustruar në trajnerin”, ka shkruar ai fillimisht. “Më së pakut jam i pakënaqur që jam pjesë e dardanëve”.
“Për t’i mbyllur gojërat e këqija, ju njoftoi se unë tani jam edhe prind dhe mungesa ime është vetëm për shkaqe familjare. Për të gjitha këto, unë kam qenë, jam dhe do të jem në kontakt me organet përgjegjëse të FFK-së. Kam pranuar me zemër Kosovën dhe do të mbetëm për jetë besnik”, ka shkruar në këtë reagim Muslijaj.
Kujtojmë se mediat kishin thënë se Muslija nuk e ka pranuar ftesën e Kosovës për shkak që, sipas tyre, nuk ishte i kënaqur me minutat e luajtura të Kombëtarja dhe nuk ishte ftuar për ndeshjet e marsit ku Kosova luajti kundër Suedisë dhe Spanjës në kuadër të eliminatorëve për Botërorin 2022 që mbahet në Katar, Sinjali Sport.