Flutura Goga-Bajrami udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, aty ku u zhdukën mostrat e Astrit Deharit, është rikthyer në punë pas suspendimit lidhur me këtë rast.
Si udhëheqëse e këtij laboratori që nga viti 2008, Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë, ka gjetur se Flutura Goga-Bajrami ka kryer punë për të cilat nuk ka pasur licencë
Për gati 15 vjet, Flutura Goga-Bajrami është në krye të laboratorit të Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësië Ligjore.
Goga-Bajrami që ishte një nga të suspenduarat lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, gjatë gjithë kësaj kohe po del se ka kryer punë të cilat nuk i janë lejuar sipas Ligjit për Shëndetësi.
Kjo është gjetur nga një raport të cilin e ka bërë Inspektorati Shëndetësor që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Raporti që mban datën e 13 janarit 2023, ka gjetur se Flutura Goga-Bajrami përgjatë kohës që ka punuar në këtë laborator, ka përpunuar gjakun dhe urinën e personave të gjallë.
Flutura Goga-Bajrami ishte përzgjedhur nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe si drejtoreshë e komplet Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ndodhi kjo një ditë para se të zhdukeshin mostrat e Astrit Deharit.
Inspektorati Shëndetësor ka gjetur se përpunimi i gjakut dhe urinës konsiderohet shërbim shëndetësor, e që sipas Ligjit për Shëndetësi kërkohet licencë.
Në raportin e Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, thuhet se Goga-Bajrami nuk ka poseduar licencë për kryerjen e këtyre punëve.