FMN për tarifat: Do të rriten çmimet, ndikim në tregjet financiare

FMN për tarifat: Do të rriten çmimet, ndikim në tregjet financiare

Tarifat do të ngadalësojnë ekonominë globale, por nuk do të shkaktojnë recesion mbarë botëror thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Drejtoresha e organizimit ndërkombëtar Kristalina Georgieva tha se tensionet tregtare kanë shtuar pasiguritë dhe përmes tyre po testohet edhe qëndrueshmëria e ekonomisë globale.

Impaktin më të madh sipas saj e kanë ndjerë tregjet financiare prej disa javësh tashmë veçanërisht Wall Street që ka parë edhe luhatjet më të forta dhe humbjet më të mëdha.

Shefja e FMN Georgieva u ka bërë apel vendeve që të ulin tarifat dhe të heqin barrierat për tregtinë. “deformimet e tregtisë, barrierat tarifore dhe jotarifore kanë ushqyer perceptimet negative të një sistemi shumëpalësh që shihet se ka dështuar të ofrojë një fushë loje të barabarte” u shpreh ajo.

Tarifat shtoi ajo jo vetëm që kanë shkaktuar pasiguri, por do të shkaktojnë shumë kosto pasi rritja e çmimeve është e pashmangshme.

Në parashikimet e janarit, kur ende lufta tarifore nuk ishte ndezur, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësonte se ekonomia botërore do të rritej me ritme më të shpejta dhe inflacioni do të ulej gradualisht. Por, kishte paralajmëruar edhe më herët se perspektiva e ekonomisë ishte e paqartë për shkak të politikave të Donald Trump.

Parashikimet e reja që do të publikohen të hënë tashmë pritet të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme pas përshkallëzimit të luftës tregtare muajt e fundit veçanërisht mes SHBA-së dhe Kinës.

Më herët, Organizata Botërore e Tregtisë deklaroi se tregtia globale do të tkurret këtë vit pikërisht për shkak të tarifave tregtare.

Related Articles