Franco Foda ka bërë zgjedhjet e fundit para ndeshjes ndaj Izraelit, ku Kosova do të kërkojë fitoren e dytë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Për këtë përballje, përzgjedhësi i “Dardanëve” ka vendosur që Baton Zabërgja, Vesel Demaku dhe Leard Sadriu të mos jenë pjesë e listës së lojtarëve të gatshëm për ndeshjen.
Të tre futbollistët janë pjesë e grupit të grumbulluar, por nuk figurojnë në listën zyrtare prej 23 lojtarësh për duelin që zhvillohet në Debrecen.
Befasia më e madhe është lënia jashtë e Zabërgjës, i cili në të dyja ndeshjet e para, ndaj Irlandës dhe Austrisë, kishte luajtur nga minuta e parë.
Kosova e nisi këtë edicion me fitore 1-0 ndaj Republikës së Irlandës në Prishtinë, ndërsa në ndeshjen e dytë pësoi humbje 3-1 në udhëtim ndaj Austrisë.
Me tri pikë të grumbulluara, “Dardanët” ndodhen në vendin e dytë në Grupin B3, pas Austrisë.
Foda e ka cilësuar Izraelin si një kundërshtar të vështirë, pavarësisht rezultateve të tij në dy ndeshjet e para.
Përzgjedhësi gjerman ka theksuar se izraelitët kanë lojtarë teknikë, të shpejtë dhe me cilësi individuale, ndërsa ka paralajmëruar se Kosova duhet të jetë agresive në këtë përballje.
