Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë ka organizuar kursin bazik të oficerëve të këmbësorisë në Shkollën e Oficerëve të Akademisë të Mbrojtjes.
Në kuadër të kësaj, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci së bashku me komandantin e FSK-së, gjeneral-lejtënant, Bashkim Jashari vizituan Kampin e Vrellës ku aktualisht po zhvillohet ky kurs.
“Bazuar në prioritetet e KOMFSK-së për zhvillimin e programeve të shkollimit, Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë brenda vendit po organizon Kursin Bazik të Oficereve të Këmbësorisë (KBOK) në Shkollën e Oficerëve të Akademisë së Mbrojtjes. Ky kurs ka për mision që të trajnojë dhe zhvillojë oficerë të këmbësorisë për të qenë të përgatitur psiqikisht, fizikisht dhe moralisht për të udhëhequr njësi të këmbësorisë”, thuhet në një njoftim të ministrisë së Mbrojtjes.
KBOK është kurs 13 javor që trajnon oficerët e rinj për aftësi taktike të avancuara të këmbësorisë dhe të udhëheqjes në fushëbetejë, si dhe vlerëson potencialin e udhëheqjes dhe kualifikon kandidatët për udhëheqje në fushën e këmbësorisë. /Gazeta Enigma