Fusha në “Fadil Vokrri” është dëmtuar shumë, eksperti britanik sugjeron riparimin e saj!

Fusha në “Fadil Vokrri” është dëmtuar shumë, eksperti britanik sugjeron riparimin e saj!

Një ekspert i menaxhimit të fushave të futbollit nga Britania e Madhe, Dean Gilasbey ka inspektuar të premten fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Britaniku ka vlerësuar se fusha e stadiumit në Prishtinë është mjaft e dëmtuar dhe se ajo duhet të riparohet.

Në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” luajnë përfaqësuesja A e Kosovës dhe ajo U21 e po ashtu përfaqësuesja e futbollisteve.

Në të luhen edhe të gjitha ndeshjet evropiane të skuadrave të vendit. Në baza të rregullta luan Prishtina, ndërsa ajo së fundi është shfrytëzuar edhe nga Llapi për ndeshje kampionale. Gjithë kjo ngarkesë e ka dëmtuar goxha shumë fushën e stadiumit.

“Dean Gilasbey, ekspert ndërkombëtar i menaxhimit të fushave të futbollit, ishte sot për vizitë në Kosovë. Britaniku inspektoi fushën e stadiumit ‘Fadil Vokrri’, ku bëri disa testime. Pasi pa nga afër gjendjen e fushës, ai theksoi se fusha është mjaft e dëmtuar dhe se ka nevojë urgjente për riparim, ngase është tejet e ngarkuar dhe jashtë normave të parapara për një fushë futbolli të nivelit të tillë. Ai pohoi se është i domosdoshëm kujdesi maksimal dhe pushimi i mundshëm eventual i kësaj fushe deri në rikuperimin e saj, pasi po shkon drejt përfundimit të orëve të lejuara me normat për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare”, ka njoftuar FFK-ja.

Eksperti britanik ka sugjeruar që për shkak të ngarkesës dhe klimës së paqëndrueshme në Kosovë, kjo fushë të shfrytëzohet sa më pak që të jetë e mundur dhe në afat sa më të shpejtë të shndërrohet në bari hibrid, e cila më pas do të jetë rezistente ndaj temperaturave të ndryshme dhe po ashtu do të ketë qëndrueshmëri të dyfishtë për orët e punës apo për ndeshjet që do të zhvillohen në këtë fushë”.

Aktualisht stadiumi i Prishtinës është i vetmi në vend që i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Por ai pos për ndeshje ndërkombëtare është i ngarkuar edhe me ndeshje të garave vendore.

“Duke pasur parasysh faktin se Kosova ka vetëm një stadium që i plotëson kushtet e kategorisë së katërt të UEFA-s, eksperti britanik i sugjeroi FFK-së që të merret seriozisht me këtë fushë në një afat sa më të shpejtë, në mënyrë që ajo të jetë në nivelin e duhur të zhvillimit të ndeshjeve”, ka njoftuar FFK-ja.

Related Articles