Komuna e Fushë Kosovës ka marrë një vendim për ndalimin e përdorimit të doracakëve të titulluar “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”.
Ky vendim është bërë i ditur përmes një njoftimi për media nga Komuna e Fushë Kosovës, e cila ka shpjeguar se ky hap është ndërmarrë pas shqetësimeve të ngritura nga disa grupe dhe individë në lidhje me përmbajtjen e këtyre materialeve, shkruan Gazeta Enigma.
Në njoftim, Komuna ka theksuar se do të shqyrtojë më tej çdo informacion të lidhur me këtë temë dhe do të veprojë në përputhje me rregullat dhe politikën e saj për edukimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe rinisë.
Kjo masë vjen në një kohë kur edukimi seksual dhe çështjet e shëndetit riprodhues janë temat e diskutimeve të shumta, dhe vendimi i Komunës ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik.
Vendimin e njëjtë e ka marrë edhe komuna e Prishtinës dhe e Skënderajt.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Komunës së Fushë Kosovës,
Sot kemi marr marrë vendim për mos aplikimin e përdorimit të Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Komunës së Fushë-Kosovës.
Përfaqësuesit e Komunës së Fushë Kosovës nga Drejtoria e Arsimit edhe gjatë diskutimeve me MASHT lidhur me këtë temë kanë shprehur shqetësimin për përmbajtjen e udhëzimeve ku janë paraparë aktivitete në praktikë – prekje me fëmijë nën moshën adekuate.
Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk ka marr për bazë vërejtjet dhe shqetësimet e arsyeshme të shprehura nga zyrtarët kompetent të fushës së arsimit e përfaqësuesve të prindërve dhe përmbajta si e tillë e miratuar nga MASHT është e dëmshme dhe e papranueshme.
Ne besojmë se kjo përmbajtje është e dëmshme dhe abuzuese me fëmijët dhe besojmë fuqishëm që ky vendim për mos aplikimin e doracakëve është në interesin e nxënësve dhe prindërve të komunës sonë./GAZETAENIGMA/