Përfaqësuesja e Kosovës ka mbyllur kampin në Antalya të Turqisë ku zhvilluan edhe dy ndeshje miqësore.
Dardanët qëndruan për një javë në Antalya, ku zhvilluan miqësore ndaj Guinesë dhe Gambias. Takimin e parë të besuarit e trajnerit Bernard Challandes e humbën me rezultat të ngushtë 2-1, ku golin e vetëm e shënoi Arb Manaj.
Ndërkohë në ndeshjen e dytë ndaj Gambias, Kosova shënoi fitore minimale 1-0 me golin e Arbër Hoxhës. Për fitoren e arritur, futbollistët e grumbulluar në këtë kamp kanë fituar edhe premi nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Telegrafi, ka raportuar se secili futbollist i grumbulluar në këtë takim ka marrë nga 300 euro premi nga FFK për fitoren e arritur ndaj Gambias. Përveç futbollistëve premi kanë marrë edhe stafi i Përfaqësueses së Kosovës.
Gjithsesi ishte një kamp shumë i mirë, ku trajneri Bernard Challandes grumbulloi disa futbollistë për herë të parë të cilët janë potencial për tu grumbulluar rregullisht në të ardhmen.
Lojtarët si Donat Rrudhani, Arb Manaj, Jetmir Topalli, Florian Loshaj, David Domgjoni, Arbër Hoxhaj, Mirlind Daku e të tjerë treguan se kanë një të ardhme të ndritur dhe se në të ardhmen barra e Përfaqësueses mund të jetë në duart e tyre, pasi bëhet fjalë për futbollistë kryesisht nën moshën 23 vjeçare.