Futbollisti kosovar e vesh fanellën e gabuar dhe bëhen dy 22-sha në fushë, rrezikon ta humb lojën në tavolinë

Futbollisti kosovar e vesh fanellën e gabuar dhe bëhen dy 22-sha në fushë, rrezikon ta humb lojën në tavolinë

Një situatë interesante u krijua në ndeshjen mes FC Wil dhe FC Aarau, të vlefshme për javën e 26-të në Challenge League.

Dy lojtarë të Aarau rastësisht veshën fanellën me numrin 22, teksa Wil tani po shqyrton mundësinë për ta fituar ndeshjen me rezultat zyrtar.

Ndeshja në fushë u fitua nga skuadra mysafire me rezultatin 0:3.

Kur Marco Thaler u largua nga fusha pasi mori një lëndim në minutën e 78-të, ai u zëvendësua nga mesfushori nga Kosova, Imran Bunjaku, i cili në realitet ka numrin 23.

Por, në nxitim ai mori fanellën e gabuar dhe kështu dy lojtarë të Aaraut me fanellën me numër 22 qëndruan në fushë për disa minuta. Ky numër i takon mbrojtësit shqiptar, Arijan Qollaku, i cili luajti tërë ndeshjen.

Siç është raportuar nga mediat zvicerane, Wil protestoi tek gjyqtarët përmes kapitenit Silvio, por pa rezultat.

“Sport.ch” ka raportuar se rregullorja parasheh që lojtarët duhet të luajnë me numra të ndryshëm. Por, fakti që Wil e bëri protestën vetëm pasi skuadra e Aarau kishte korrigjuar gabimin, thuhet se po zvogëlon shanset që të merret një vendim në të mirë të tyre.

“Ne jemi të mendimit se FC Aarau ka shkelur rregullat e lojës gjatë lojës dhe kemi bërë një ankesë. Do të varet nga liga dhe jo nga ne që të vendosim nëse dhe cilat do të jenë pasojat”, tha zyrtari për media i klubit Wil, David Hugi. 

Related Articles