Gara e jashtëzakonshme për titull në La Liga vazhdon me përballjet mes pretendentëve

Gara e jashtëzakonshme për titull në La Liga vazhdon me përballjet mes pretendentëve

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, tha se në çdo sezon normal kjo fundjavë do të vendoste për kampionin e La Ligas. Por, edhe ai e pranoi se këtë herë nuk ka asnjë garanci.

Të shtunën pasdite, Barcelona përballet me Atletico Madridin (16:15) në stadiumin “Camp Nou” dhe të dielën Real Madrid e pret Sevillan (21:00). Kjo do të thotë se gara për titullin e kampionit në Spanjë, përkatësisht xhiroja e 35-të, vë përballë të parin më të tretin dhe të dytin me të katërtin në tabelë.

Atletico Madridi prin në tabelë me 76 pikë, dy më shumë se Reali e Barcelona që renditen në pozitat dy dhe tre, ndërsa Sevilla është e katërta me 70 pikë të tubuara. Me fitore eventuale ndaj Barcelonës, Atletico mund t’i afrohet edhe më shumë titullit të kampionit, por në rast të humbjes atëherë gjërat do të ndryshojnë në tabelë.

Natyrisht, gjithçka varet edhe prej duelit në Madrid.

Barcelona në këtë ndeshje do të jetë pa trajnerin Ronald Koeman, i cili është i suspenduar. Trajneri holandez, që u përjashtua me karton të kuq në humbjen nga Granada, beson në ekipin e tij.

“Jemi përgatitur mirë dhe besoj që lojtarët do t’i kryejnë detyrat siç duhet, pasi është ndeshje derbi në të cilën mund të vendoset fati ynë këtë sezon. Më vjen keq që nuk do të jem në bankë, por kam besim se stafi do ta bëjë punën siç duhet”, ka thënë Koeman.

Ndërkohë, Pique ka shtuar: “Nuk mund të them se kushdo që është në krye të tabelës pas kësaj fundjave do të përfundojë kampion. Në sezone të tjera kjo do të ndodhte. Shpresoj, megjithatë, se do të jemi ne ata që janë në krye të tabelës”.

Atletico, që kishte dhjetë pikë epërsi, ka lejuar kundërshtarët t’i afrohen pas rezultateve të dobëta dhe trajneri Diego Simeone beson se do ta fitojë në “Camp Nou”, që do të ishte triumfi i tij i parë si trajner në këtë stadium. Sulmit të Atleticos në këtë duel do t’i prijë uruguaiani Luis Suarez, që për herë të parë do të kthehet në “Camp Nou” si kundërshtar i Barcelonës.

“Përballemi me një ekip që ka rikuperuar shumë pikë. Gjithmonë ekziston hera e parë për gjithçka në jetë, kështu që edhe unë besoj në fitoren e parë në stadiumin e Barcelonës. Shpresat më të mëdha për këtë ndeshje i kam te Marcos Llorente e Luis Suarezi, që kanë pasur një edicion fantastik”, ka thënë Simeone.

Momenti kryesor i Real Madridit supozohej të ishte fitorja në “El Clasico” muajin e kaluar, por ekipi i Zinedine Zidanet ka arritur vetëm dy fitore nga katër ndeshje në kampionat që nga lëndimet dhe rastet me COVID-19. Humbja nga Chelsea në Ligën e Kampionëve të mërkurën do të jetë e vështirë për t’u rikuperuar, por te Reali ka optimizëm se do ta fitojnë titullin e kampionit.

“Synimi është ta fitojmë titullin dhe është garë e hapur deri në fund”, tha kapiteni i Realit, Sergio Ramos.

Related Articles