Analisti Astrit Gashi e ka komentuar marrëveshjen që nënshkroi dje Korporata Energjetike e Kosovës me kompaninë amerikane General Electric, për modernizimin e turbinave të termocentralit Kosova B.
56 milionët e Qeverisë, ai i ka quajtur “sadaka”. Ka thënë se kaq para, por edhe më shumë i investonte nëpër blloqe çdo vit Bashkimi Evropian.
“55 milion euro per 35-40më/h nga TC Kosova B pas 3 vitesh. Kjo po qe eshte nje arritje madhore e strategjike ne fushen e energjise. Aq para edhe me shume i pat investu ne blloqe cdo vit per disa vite te pasluftes Bashkimi Evropian hic pa e qeverise kete vend. Sadaka ata, sadaka keta!”, ka shkruar Gashi.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këto investime rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike.
“Rëndësia e këtij modernizimi nuk mund të theksohen mjaftueshëm. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 deri në 17 megavat. Pas rekonstruktimit që do të bëhen në Turbinën e Presionit të Lartë dhe atij të Ulët nuk do të kemi nevojë për riparime të shpeshta kapitale; ato do të jenë të nevojshme vetëm çdo 8 apo 9 vite”, deklaroi Kryeministri.
Ai përmendi edhe se si kompania e njejtë kishte dizejnuar para katër dekadash teknologjinë e këtyre turbinave.
“Ka shumë kuptim që sot jemi këtu, bashkë e pranë kompanisë General Electric. E njëjta kompani që e kishte dizajnuar teknologjinë e termocentraleve zona në 1983 dhe 84, dhe tash do të bëjë modernizimin e Kosova B, për të siguruar që do të Kosova B do të vazhdojë e fortë edhe për dekadat në vijim”, tha Kurti.